21 fotografë për ‘Gjon Milin’

Ne ekspozitë do të marrin pjesë 21 artistë nga Kosova dhe të huaj nga fusha e fotografisë. Artistët pjesëmarrës janë: Ahlam Shilbi, Allan Sekula, Annete Kelm, Arno Gisinger, Astrit Ismaili, Blerim Rracaj, Flaka Haliti, Jetmir Idrizi, Hans Peter Feldmann, Iosif Kiralt, Karina Nimmerfall, Kushtrim Ternava, Lala Meredith Vula, Lulzim Zeqiri, Sabinne Bitter/Helmut Weber, Sabine Tmava-Billi, Shadi al Shadeh/Roza el Hasan, Shkurte Ramushi, Tomoko Sawada, ViganNimani, Zanele Muholi.
Artistët e lartpërmendur kanë konkurruar me punimet e tyre brenda konceptit kuratorial “Koha, vendi dhe kamera: Fotografia si proces i punës”, e përcaktuar nga kuratorja e ekspozitës, Christine Frisinghelli. Znj. Frisinghelli është kuratore dhe publiciste e fotografisë në Graz të Austrisë. Ajo është bashkëthemeluese e revistës ‘Camera Austria International’ dhe ish drejtoreshë artistike e festivalit të artit bashkëkohor “Steirischer herbst”.
“Ftesa për të përzgjedhur fotografët pjesëmarrës për Ekspozitën ‘Gjon Mili 2012’ ishte mundësi e shkëlqyeshme për mua për të parë vepra nga fotografët kosovar ende të panjohur në kontekstin evropian. Larmia e temave dhe përdorimi i mediumit të fotografisë që kam parë do të jenë të prezantuara në ekspozitë. Unë u jam shumë mirënjohëse artistëve për gatishmërinë e tyre për të ndarë përvojat e tyre me mua, dhe unë shpresoj që ekspozita do të kontribuojë për një njohje më të gjerë të punës së tyre. ", tha kuratorja e ekspozitës Christinë Frisinghelli.
Ekspozita“Gjon Mili”do të hapet më 7 shtator dhe do të qëndrojë e hapur deri më 7 tetor. Juria profesionale do të përzgjedhë fituesin, të cilit do t’i jepet shuma prej 1000 euro.
Ekspozita ndërkombëtare “Gjon Mili ” u iniciua më 2001 si iniciativë e përbashkët e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe Michael McLallenit nga zyra e atëhershme e SHBA-së në Prishtinë. Ideja fillestare ishte që të krijohej një ekspozitë tradicionale në formë të konkursit për fotografi që do të mblidhte artistët e fotografisë me vepra të reja. Kjo iniciativë rezultoi me ekspozitën vjetore që vazhdon për njëmbëdhjetë vite me radhë dhe ka arritur reputacionin si ekspozita dhe gara më e rëndësishme për artin e fotografisë në Kosovë.