Të gjithë jemi të pashkatërrueshëm

“Tani që ekziston HD, sytë e mi blu nuk janë edhe aq të veçantë dhe nuk mjaftojnë për të bërë kinema.” Nelly Furtado, kantautorja kanadeze me origjinë portugeze, e ka buzëqeshjen të mrekullueshme. Vetëm tre vjet pas albumit të saj të parë në spanjisht (“Mi Plan”), 33-vjeçarja do të rikthehet me një album në anglisht, që pritet të dalë në shtator. “The spirit indestructible” është albumi i saj i pestë në një karrierë që deri tani vlen 16 milionë disqe të shitura.
Ndiheni vërtet kështu, një shpirt i pashkatërrueshëm?
Kanë qenë njerëzit që kam njohur në këto vite që më kanë frymëzuar për të vënë këtë titull. Njëri prej tyre është Spencer West: i ka humbur të dyja këmbët që në moshën 4-vjeçare, megjithatë ka ngjitur edhe Kilimanxharon. Më ka goditur shumë edhe libri i Isabel Allende, “Ishulli nën det”, për haitianët që çlirohen nga skllavëria duke formuar republikën e tyre të parë. Me pak fjalë qeniet njerëzore i kanë disa merita, jemi të gjithë të “pashkatërrueshëm”.
Si lindi lidhja juaj me muzikën?
Isha e fiksuar pas muzikës që e vogël. Në veçanti më pëlqente shumë hip hopi dhe rhythm’n’blues. Dhoma ime e vogël ishte e mbushur plot me postera të Bell Biv deVoe, të Salt-n-Pepa dhe Chris Cross. I kërkoja gjithmonë motrës sime të më jepte borxh vathët e saj të mëdhenj për të shkuar në një qendër tregtare ku mblidheshin gjithë miqtë e mi. Që atëherë e ndieja veten të famshme.
Edhe sot mbani vathë gjigantë?
Po, e vërtetë, kam një koleksion të tillë. Në fillim të karrierës sime isha e famshme për vathët e mëdhenj që mbaja. Por moda kthehet gjithmonë.
Tani që keni arritur ëndrrat për të cilat luftonit kur ishit adoleshente, si po i jetoni?
Në album është një këngë “High life”, që flet për ndjekjen e suksesit dhe domethënies së tij. Fama nuk është një pikë ku dëshiron të arrish. Më kujtohet sesi kur zhvillova një tur e ndieja veten të shkatërruar; qava në skenë pa ndërprerje pas dy këngëve të para. Pas atij turi realizova “Mi plan”, albumin tim të parë në spanjisht që më dha stimuj të rinj. Tani ndiej që jam e njëjta vajzë që kur debutova 12 vjet më parë.
Çfarë mendoni për profecitë e Majave se bota mbaron vërtet më 20 dhjetor të vitit 2012. Çfarë do ju pëlqente të bënit para se të vijë ajo ditë?
Në album është një këngë që quhet “Bucket List” e që flet pikërisht për këtë. Njëherë një miku im më pyeti nëse e kisha bërë listën e gjërave që do të doja të bëja “para se të vdisja”. Mendova se më e rëndësishmja nga të gjitha ishte dashuria. Dua të dashuroj sa më shumë të jetë e mundur: familjen, miqtë, muzikën, të gjithë. Gjithë albumi im përshkruhet nga një shpirt optimisti.
Nuk ka ndonjë anë të errët?
Me këtë album doja të shpërndaja energji pozitive në univers, ndoshta sepse kam një vajzë 8 vjeçe dhe fëmijët meritojnë optimizëm. Por si portugeze që jam, kam brenda vetes edhe një pjesë melankolike. Gjithmonë kam qenë kështu që fëmijë, pak e brishtë dhe e turpshme.
Por tani performoni përpara mijëra personave. Çfarë ka ndryshuar?
Ndoshta fakti i të shkruarit këngë më ka ndihmuar shumë. Po ashtu vajza ime Nevis, dhe mendoj se shumë nëna e kuptojnë këtë, është momenti i reflektimit për jetën.
Si nënë, si e shihni shpërthimin e rrjeteve sociale?
Pas pak kohësh edhe Nevis do të dojë t’i përdorë. Në shkollë shumë detyra jepen online, dhe ka mjaft faqe interneti që lidhen me studimet: të mos përdorësh internetin është e pamundur. Por në familje përdorimi i kompjuterit është i kufizuar. Po përpiqem t’i shpjegoj vajzës sime ndryshimin mes realitetit dhe botës virtuale.
Po tjetër çfarë ju pëlqen?
Basketbolli. Në lice kisha një të dashur basketbollist, kur mbeta shtatzënë u fiksova pas basketbollit dhe shkoja shpesh të shihja ndeshjet. Jam e çmendur pas këtij sporti, e adhuroj, më duket më i bukuri në botë.