E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, 4 të vrarët shpallen Qytetarë Nderi, Rama: FBI do zbardhë të vërtetën

Protestuesit me fotografitë e 4 viktimave të 21 janarit

Orë pas ore në selinë e PS, bulevard dhe te Artet

Protesta e heshtur, nga lotët te thirrjet antiqeveri të fëmijëve.

Numër i ulët i manifestuesve në bulevard. Mungonin femrat dhe të ardhurit nga rrethet.

Protestë e dyzuar për 21 janarin, datën përkujtimore për katër viktimat që u vranë një vit më parë pranë dyerve të Kryeministrisë: Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Aleks Nika dhe Hekuran Deda.
E paralajmëruar prej kohësh, e paraprirë me masa dhe njoftime, manifestimi i djeshëm nën drejtimin e PS-së, më shumë se sa një proteste, i ngjante një organizimi të çorganizuar. Një çorganizim i qetë në fakt, nëse ky ishte qëllimi… Sepse ajo që nisi si marshim i heshtur qytetar në bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe që prishej vetëm nga vajet e familjarëve të viktimave, përfundoi në sallën e Akademisë së Arteve me deklarata politike të fëmijëve të tyre. Por derisa të mbërrijmë këtu, gazeta Panorama ju sjell një miniguidë se çfarë ndodhi orë pas ore me këtë protestë.
Socialistë të hershëm
Godina e PS-së ishte zgjuar dje me posterat e katër viktimave dhe me karafila të kuq. Fotot e Veizit, Myrtajt, Dedës dhe Nikës gjendeshin kudo në ambientet e brendshme dhe të jashtme të PS-së. Edhe pse marshimi në nder të tyre ishte parashikuar të niste në orën 11:00, politikanët socialistë kanë qenë të hershëm. Disa prej tyre për të pirë kafen e mëngjesit e të tjerë për tu ngjitur nëpër zyra. Ora 09:00 i ka mbledhur të gjithë në seli, sepse është koha kur u shfaq edhe Edi Rama. Gjysmë ore më pas, oborri i godinës dhe korridori u mbush plot dhe në orën 10:00 turma nisi të zgjatej, duke shkuar deri te Ministria e Ekonomisë. Sa u përket forcave të rendit, asnjë prej tyre nuk qarkullonte aty. Të paktën jo me uniformë… Teksa ora po shkonte 11:00, njerëzit filluan të bëhen të paduruar dhe kërkonin nisjen e protestës. Një irritim vetëm 5-minutësh, pasi dera e korridorit u hap dhe u shfaq Edi Rama. Në krah të djathtë të tij, Spartak Ngjela. Rreth e rrotull tyre, eksponentët e tjerë të PS-së, por edhe aleatët si Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Vangjel Dule etj. Ata morën rrugën e daljes nga selia, ndërsa një nga truprojat e çante turmën. Edhe pse Rama doli i fundit nga godina, në pak metra arriti në krye të protestuesve, duke iu bashkuar familjarëve që mbanin portretet, pa i lëshuar nga dora që nga mëngjesi. Socialistët e tjerë e ndiqnin me hap më të ngadaltë e ndërkohë informoheshin me të rejat nga interneti me celular, ose freskonin faqet personale të Facebook-ut. Duke ecur, Eglantina Gjermeni shkruan një status të ri lidhur me protestën, ndërsa kolegët ia komentojnë po në Facebook, edhe pse janë thuajse ngjitur…
Mungonin femrat
Nuk bëhej fjalë për krahasim numri me protestuesit e një viti më parë. Këtë 21 janar nuk i kalonin 3 mijë vetat. Ajo çfarë binte menjëherë në sy ishte mungesa e grave. Të pakta në numër, ato femra që ndodheshin në protestë thuajse ishin të identifikueshme. Shumica si pjesë e forumeve socialiste, të tjerat të afërme të familjarëve. Mungesa e protestueseve ishte krejt e çuditshme, por një bisedë krejt spontane e dy motrave që i rrëfenin historinë e një viti më parë një djali ishte shpjegim i mirë për habinë. Erdhëm fshehtas. Babi e di që jemi te tezja. Nuk na lë më të dalim dhe na thotë që të vret ai. Se si kemi shpëtuar vjet, nuk e di. E di ku ishim mo? Ngjit mo, ngjit, aty te rreshti i parë. Kur shpërtheu, u rrëzuam njëra mbi tjetrën dhe mezi kemi ik. Babi na kishte parë dhe në televizor dhe na bëri namin…, tregon vajza, që siç duket kishte emrin Dori, sipas asaj që i thirri e motra. Histori me vrasje dhe vrasës, ku viktimat mbeteshin të njëjtët, ndërsa ekzekutuesi i tyre identifikohej me Kryeministrin, ishin krejt të zakonshme dje në mes protestuesve, por duket se edhe kishin ndikuar për të përhapur panik në masë ndër femra. E ca të tjera, veç sa i kishte inatosur edhe më fort. Ashtu si në rastin e dy invalideve, njëra prej të cilave ishte në karrocë dhe madje, me tubë në hundë e në gojë. Mezi fliste, por ama kur fliste… asnjeri në qeverinë aktuale nuk i shpëtonte sharjeve të saj. Ajo çfarë mund ta pushonte atë grua ishte vetëm bllokimi i frymës herë pas here!
Ndarja e kortezhit
Pranë Kryeministrisë, Rama, në krye të protestuesve, filloi i pari homazhet, duke lënë karafil të kuq në secilin prej 4 portreteve të vendosura në bulevard. Dy në njërën anë dhe dy në tjetrën. Pasi mbaroi me të parin, vijoi me të tjerët, por pak më shpejt se çduhej. Familjarët kishin mbetur ende te portreti i dytë, pasi e vajtonin me fjalë, ndërsa Rama kishte përfunduar homazhet. Megjithatë, atij i kishte mbetur një prej familjarëve, që nuk e lëshoi gjithë kohës. Ishte nëna e Hekuran Dedës nga Dibra, së cilës i rezervoi makinë personale për ta çuar në Akademinë e Arteve, ku edhe do të bëhej ceremonia përkujtimore e quajtur 21 Janari. Gjysmë ore më pas, në 12:30, aty u takuan të gjithë familjarët, ku një përfaqësues i secilit prej tyre tha diçka për të ndjerët. Që nga Rajmonda, gruaja e Aleks Nikës, e cila mes lotëve rrëfeu se dy vajzat e saj ende nuk e dinë që u ka vdekur babai. Për të vijuar me Mahmuden, bashkëshorten e Faik Myrtajt dhe nëna e Bardhoshit, i cili ndërroi jetë disa muaj pas të atit. Sali Berisha ma vrau burrin mu në mes të sheshit… të kisha forcë, do ia kisha numëruar vetë, tha ajo, ndërsa duartrokitje pa fund erdhën nga salla. Po kaq përplasje duarsh të fuqishme shpërthyen vetëm pak minuta më pas, atëherë kur vajza e vetme e Ziver Veizit dhe mbesa e Hekuran Dedës, që të dyja jo më shumë se 10 vjeçe, akuzuan publikisht nga podiumi Kryeministrin Berisha si bashkëpunëtor në vrasje. E quaj Sali Berishën fajtor në vrasjen e Hekuranit. Nëse nuk është, të çojë foton e vrasësit në Prokurori. Armët u shkrehën në emër të Sali Berishës…, tha mbesa e të ndjerit me pathos, teksa lexoi një fjalim me këtë rast. Rast, që i erdhi edhe Ramës direkt pas saj. Ai bëri një deklaratë të gjatë për të dalë në një përfundim të shkurtër: mbështeti parafolëset!

Rama: Drejtësi për 21 janarin

Kreu i opozitës vlerëson ndihmën e SHBA: FBI do të zbardhë të vërtetën e asaj ngjarjeje
Ceremonia te Artet, 4 të vrarët shpallen Qytetarë Nderi
Pas homazheve në bulevardin Dëshmorët e Kombit në nder të katër të vrarëve të 21 janarit, kryesocialisti Edi Rama dhe familjarët e viktimave morën pjesë dje në një ceremoni përkujtimore të organizuar në Akademinë e Arteve. Nën moton Drejtësi për 21 janarin, Rama deklaroi para familjarëve të Aleks Nikës, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, se drejtësinë sot e kërkon e gjithë Shqipëria. Kreu i opozitës pohoi se 21 janari i vitit të ardhshëm do ti gjejë shqiptarët më të qetë, pasi, sipas tij, hetimi i pavarur i FBI-së do të zbardhë shumë shpejt të vërtetën e katër vrasjeve në Bulevard. Jam sot i bindur, falë miqve të mëdhenj amerikanë, se 21 janari i ardhshëm sdo ta gjejë Shqipërinë kaq të trazuar sa sot prej mungesës së drejtësisë për 21 janarin e shkuar, sepse provat e pakundërshtueshme të ekspertizës së lartë të Byrosë Federale Investigative do të hedhin dritën që do të jetë e pamundur të shuhet nga pushteti i korrupsionit dhe korrupsioni i gjykatave të pushtetit, pohoi kreu i PS. Edi Rama ka falënderuar ambasadorin amerikan për ndihmën e dhënë me angazhimin e FBI-së për të zbardhur një ngjarje kaq të dhimbshme. FBI-ja, edhe falë këmbënguljes së mikut të madh të shqiptarëve, Aleksandër Arvizu, vuri të gjithë profesion

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›