21 janari, Berisha lë Tiranën për të përkujtuar Kongresin e Lushnjës: Protesta nuk ia zbeh vlerat
Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Parlamentit kanë lënë sot Tiranën, për të udhëtuar drejt Lushnjes, ku do të mbahet një aktivitet në kujtim të Kongresit të Lushnjes.
Ndërsa në kryeqytet opozita përkujton 4 të vrarët e një viti më parë në bulevardin para Kryeministrisë, figurat kryesore të maxhorancës kanë zgjedhur Lushnjen, për të kujtuar 92-vjetorin e Kongresit të mbajtur në këtë qytet.
Mësohet se në nisje të vizitës në Lushnje, Berisha dhe Topalli kanë zhvilluar një vizitë të shkurtër në bashkinë e qytetit, ku janë pritur nga kryebashkiaku Fatos Tushe.
Menjëherë pas vizitës në bashkinë e qytetit, Berisha është shprehur për mediat se protesta që po zhvillohet në Tiranë nuk mund ti zbehë vlerat e këtij momenti të rëndësishëm në historinë e kombit.
Kongresi i Lushnjës nuk mund të zbehet nga protesta e 21 janarit. Është një moment i rëndësishëm i historisë, që vjen pas shpalljes së pavarësisë, tha kryeministri, duke theksuar se çdo qytetar është i lirë të protestojë.
Në orën 11:00, Berisha do të mbajë një fjalim në qendrën Vaçe Zela, ku do të zhvillohet një konferencë në përkujtim të kongresit të Lushnjes.