E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Reflektim për mbipushtetin e partive

Kreu i Shtetit, Bamir Topi, në rolin e pritësit mbajti edhe fjalën e rastit, ku përveç falënderimeve për bashkëpunimit, shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve për secilin vend.

Ky vit për Presidentit, mbart një specifikë të veçantë për popullin shqiptar, duke theksuare se është viti i 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Viti 2012 përveçse një mot gëzimi jubilar, është edhe një vit sfide për karakterin integrues, si marrja e statusit të vendit kandidat për në BE.

“Gjatë këtij viti, Shqipëria do të ketë zgjedhjet e reja presidenciale, dhe unë, konfirmoj edhe njëherë se vazhdimisht kam nxitur e mbështetur modelin e rrotacioneve demokratike në krye të institucioneve, çfarë i jep frymëmarrje demokracisë, rrit besimin publik tek institucionet dhe mbetet nevojë për vende si Shqipëria, të cilat kanë dalë nga sisteme totalitare të izoluara dhe kanë një tranzicion të gjatë e të vështirë”, u shpreh Topi.

Ai shtoi se shoqëria shqiptare ka nevojë për një reflektim pozitiv ndaj problematikës së tranzicionit, forcimit të komponentit të dialogut konstruktiv e serioz politik, “ecje në drejtim të forcimit integral të institucioneve kushtetuese dhe plotësimit konsensual të të gjitha detyrimeve që klasa politike ka ndaj qytetarëve dhe ndaj kritereve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

“Zhvillimet pozitive të muajve të fundit në drejtim të dialogut politik janë shenja pozitive. Ato erdhën pas një periudhe të gjatë konfliktualiteti politik, që dëshmoi qartësisht nevojën jetike për kalimin nga institucionet e brishta demokratike dhe në një demokraci funksionale e të qëndrueshme, një politikë të re në vizion, mentalitet e sjellje. Në këtë fazë të dialogut politik inkurajimi im mbetet shndërrimi i kësaj klime në normalitet demokratik dhe me rezultate konkrete në funksion të detyrimeve kushtetuese dhe interesave madhore të vendit”, vijoi më tej.

Në fjalën e tij, Presidenti përmendi edhe rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke përmendur misionet paqeruajtëse.  Përveçse përshëndeti gjithsecilin, Kreu i Shtetit të Shqipërisë, kishte edhe një falënderim të veçantë, atë për Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, përshëndetje e cila vjen për shkak të Kosovës.

“Tashmë, Kosova, së bashku me gjithë faktorin shqiptar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, po shkojnë drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike dhe përbëjnë një garanci të sigurt për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, shtoi.

Gjatë fjalës së vet, Topi iu rikthye edhe një herë 100 vjetorit të Pavarësisë, duke nënvizuar se ky vit është një rast për shoqërinë qytetare dhe politike për të reflektuar mbi gabimet e ardhura nga mungesa e përvojës apo “mbipushteti i partive politike në raport me shoqërinë, për të dhënë një shembull inkurajues reformash demokratike”. /Start/

                                                                                             2012-01-20 17:09
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›