E Diel, 1 Nëntor 2026

Imami: Shqipëria mbështet anëtarësimin Maqedonisë në NATO

Kjo vizitë e ministrit të Mbrojtjes Shqiptare, është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit bilateral që ekziston mes dy vendeve tona, si dhe në kuadër të zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe kryesisht në fushën e mbrojtjes.

Gjatë takimit që dy krerët e lartë të mbrojtjes kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme, është diskutuar për çështje të rëndësishme që lidhen me sigurinë rajonale, si dhe mbështetjen që Shqipëria ofron për integrimin e plotë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.  Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, të mbajtur në fund të takimit, ministri Imami, theksoi se Shqipëria ka vullnet të plotë për të ndihmuar Maqedoninë në rrugën e saj drejt NATO-s.

“Republika e Shqipërisë e mbështet integrimin e Maqedonisë në NATO pa kushte dhe pa rezerva, i jep një mbështetje të plotë anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në NATO. Sa më shpejt që Maqedonia të jetë në NATO, aq më shpejt vendet tona dhe vendet e tjera të rajonit, do të jenë jo vetëm në NATO, por edhe në Bashkimin Europian. Prespektivat e paqes, stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në rajonin tonë do të jenë të garantuara”. 

Ministri i Mbrojtjes shqiptar është shprehur optimist se së shpejti problemi i emrit që ka Maqedonia me Greqinë, do të zgjidhet duke e cilësuar këtë një çështje tekniko-politike. Ministrat Imami dhe Besimi kanë biseduar edhe për avancim të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, në funksion të shfrytëzimit të kapaciteteve të përbashkëta që posedojnë dy vendet në fushën e Mbrojtjes.

“Mendojmë që një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit, mund të jetë fusha e kundëremergjencave. Dua të theksoj se vendet tona janë vende të vogla dhe me buxhete të kufizuara, por edhe vendet e mëdha e kanë të vështirë të përballojnë tërësisht të vetëm emergjencat e krijuara, si ato natyrore ashtu edhe ato teknologjike, apo posibilisht edhe terroriste. Kështu që ne do të ishim të gatshëm që në kuadër të A5, apo në çdo lloj kuadri tjetër të bashkëpunimit rajonal, të krijonim kapacitetet të përbashkëta për t’ju përgjigjur këtyre emergjencave dhe t’i vinim një njësi drejtimi dhe menaxhimi të përbashkët, problemeve të emergjencave në rajonin tonë”, nënvizoi Imami.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Besimi, vlerësoi përkrahjen që Shqipëria jep në interes të anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO. /Start/

                                                                                             2012-01-20 17:46
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›