E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari Doshi e Ndreu refuzojne te deshmojne

Deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi dhe kreu i socialistëve të rrethit të Tiranës, Pjerin Ndreu mungojnë për herë të dytë në gjykatë dhe nuk pranojnë të dëshmojnë lidhur me ngjarjet e 21 janarit, ku të akuzuar janë  ish-shefi i gardës së Republikës Ndrea Prendi, shoferi i tij Margarit Kume dhe gardisti Agim llupo. Tom Doshi dhe Pjerin Ndreu kanë munguar pa asnjë arsye ligjore dhe nuk e kanë justifikuar mungesën e tyre në dy séanca gjyqësore. 
Në këto kushte avokati Genc Gjokutaj i ka kërkuar gjykatës që
Tom Doshi dhe Pjerin Ndreu të sillen forcërisht nga policia në gjykatë për të dëshmuar. Sipas mbrojtjes ata ndodhen në kushtet e mospranimit për të dëshmuar çka sipas ligjit obligon organin e akuzës t’i sjellë ata forcërisht në gjykatë. Kërkesa është kundërshtuar nga prokuroria e cila ka thënë që gjykata duhet të ripërsërisë njoftimin ndaj Doshit dhe Ndreut të cilët janë njoftuar me telefon dhe jo në rrugë zyrtare. Gjykata vendosi që të ripërsërisë njoftimin ndërkohë që vendosi që të sillet forcërisht në gjykatë Zabid Deda, vëllai i një prej viktimave të 21 janarit. Në seancën e kaluar dëshmuan deputetët socialist  Paulin Sterkaj dhe Besnik Baraj të cilët thanë se organizatore e protestës së dhunshme ishte PS. Ata po ashtu theksuan se ishin pyetur nga organi i akuzës një muaj me vonesë dhe për këtë shkak deklarimet e tyre të bëra në prokurori ishin të pasakta pasi ishin të ndikuara edhe nga mediat e ndryshme. Seancën e ardhshme do të pyeten 3 dëshmitarët e fundit të prokurorisë Ilir Shabaku, Fatjon Imajlaj e Rustem Martinaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›