21 janari: Historia e papërfunduar në një libër
Intervistë me Prof. Dr. Kosta Barjaba, bashkautor i librit 21 janari, një histori e papërfunduar
Një libër për 21 janarin përbën, pa dyshim, një lajm surprizë për lexuesin shqiptar. Ndaj dhe pyetja e parë është e natyrshme: Çfarë i ofroni lexuesve në këtë libër?
Lexuesi do të gjejë në libër mjaft informacione dhe disa përgjigje për pyetjet që ka ngritur 21 janari. Libri është një analizë politike, ligjore dhe sociologjike e asaj që ndodhi para 21 janarit, në 21 janar dhe pas 21 janarit, brenda kontekstit të ngjarjeve, një pjesë e të cilave për lexuesin mund të jenë të njohura ose të dëgjuara. Por një pjesë tjetër, jo. Me këtë libër, së bashku me kolegun Fatmir Xhafaj, dëshirojmë të ndihmojmë për ndriçimin sa më të plotë, realist dhe sa të mundemi edhe në thellësi e gjerësi të ngjarjes që tashmë ka hyrë në historinë e tranzicionit, si një episod i panevojshëm dhe tragjik. Pikërisht kur njerëzit dëshironin, dhe kishin filluar në fakt, ti harronin episode të tilla. Të cilat ndaluan për një kohë lëvizjen e vendit përpara, duke e kthyer ecjen e Shqipërisë në stilin e njohur të lëvizjes së gaforres.
Ju flisni për ndikimin e 21 janarit në jetën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, duke theksuar se kjo ngjarje e ndau kohën e shqiptarëve më dysh, në para dhe pas 21 janarit. Cili është thelbi i kësaj ndarjeje?
Thelbi është i qartë: 21 janari ndau barbarinë nga qytetërimi, qeverisësit e këqij nga të keqeverisurit, kërkesën për drejtësi nga padrejtësia. Një tjetër ndikim i 21 janarit në jetën e shqiptarëve ishte atmosfera funebre që kjo ditë krijoi në Shqipëri dhe njëkohësisht shpërndau nga Shqipëria, drejt kancelarive perëndimore. Lufta politike dhe betejat e saj nuk mbetën thjesht të tilla. Ato u përzien me ngjarje, të cilat ndërgjegjja demokratike perëndimore nuk mundte ti akomodonte. Vrasjet e 21 janarit i kapën në befasi diplomatët perëndimorë në Tiranë. Asnjë parashikim, madje as më i guximshmi, nuk mund të arrinte deri këtu. Vrasjet në demonstratë nuk i përkisnin kohës sonë. Dhe pikërisht për këtë nuk duhej të kishin ndodhur.
Klimën funebre e përforcuan edhe ritualet e opozitës, e cila në nderimin për të vrarët ndoqi traditën zakonore të shqiptarëve. Gjysma e parë e vitit 2011 do të kalonte si midis dy pasqyrash: e para do të reflektonte zinë që prodhoi 21 janari; e dyta do të derdhte shkëlqimin e ftohtë që vinte nga festat e fabrikuara të pushtetit. Ky shkëlqim bëhej edhe më i gënjeshtërt, përballë zisë që kishte pushtuar atmosferën rreth opozitës. Shteti shpikte festa, ndërkohë populli jetonte me dhimbjen për të vrarët. Ai u përpoq më kot të ndante njerëzit më dysh: gjysma festues dhe gjysma zimbajtës, duke dashur ti japë ndarjes politike një përmasë njerëzore. Por njerëzit, madje as ata të cilët shteti i vetëquante të tijët, nuk e mirëpritën këtë prirje për tu ndarë. Mjaft episode, një pjesë e të cilave sillen në këtë libër, bëjnë fjalë jo vetëm për rezistencën e qytetarëve, por edhe të mjaft punonjësve publikë për të refuzuar pjesëmarrjen në festat e sajuara të qeverisë, si karshillëk ndaj qindra-mijëra manifestuesve të opozitës. Përgjithësisht, njerëzit nuk ranë në kurthin e kundërvënies ndaj njeri-tjetrit. Festat e qeverisë nuk u bënë dot festa të qytetarëve. Sidoqoftë, përpjekja për ti ndarë qytetarët në festues dhe përkujtues mbeti në kujtesën e tyre si një kujtim i hidhur. Komisioni i Festës dështoi në përpjekjet e tij për tia kundërvënë 21 janarin e qeverisë 21 janarit të qytetarëve.
Ju flisni për ngjarjen, duke e parë atë midis pasqyrash të ndryshme. Në çfunksion e kini përdorur simbolin e pasqyrave?
Ajo që ndodhi në 21 janar në bulevardin kryesor të Tiranës është parë, natyrshëm, në mënyra të ndryshme. Vetë prizmi i ditës së 21 janarit ofron kënde të ndryshme vështrimi, në varësi të raporteve që secili ka pasur ose kërkon të krijojë me këtë ngjarje. Gjithkush e ka parë, mund ta shohë dhe do ta shohë 21 janarin nëpërmjet pasqyrës së vet. Në libër paraqesim disa fragmente të pamjeve të kësaj ngjarjeje, nga disa pasqyra: e qeverisë; e opozitës protestuese dhe qytetarëve; e intelektualëve dhe personaliteteve kombëtare; së fundi, pasqyra e misioneve diplomatike, vëzhguesve dhe shtypit të huaj. Pamja që ofrojnë pasqyrat e secilës palë në disa raste janë të qarta dhe na japin ngjarjen me tërë dramacitetin dhe tragjizmin e vet. Në raste të tjera pamja jepet kokëposhtë, si në dhomat e errëta të laboratorëve fotografikë. Ndërkohë, në disa raste pasqyrat janë kontradiktore, në sensin që shpesh japin pamja të qarta, shpesh të mjegulluara ose të përmbysura, të asaj që ndodhi. Kjo largësi ka mbetur e njëjtë edhe një vit më pas. Me përjashtim të pasqyrës së qeverisë, pamjet e pasqyrave të tjera, me ndonjë përjashtim të rrallë, përputhen. Bën përjashtim këtu pasqyra e mjegulluar e Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorit Eugen Wollfarth, distanca e të cilit prej perceptimit realist të ngjarjes ishte, për fat të keq e largët. Për fat të keq, kjo largësi ka mbetur e mjegullt edhe një vit më pas.
Ndërkohë, qeveria nuk mund të mjaftohej vetëm me mjegullimin e 21 janarit. Shtrembërimi i ngjarjes nuk mund të realizohej, sa kohë që përpjekjet për ta ndriçuar dhe për të depërtuar në thelbin e saj, nuk mund të pengoheshin. Prandaj, paralel me fabrikimin e etiketimeve fantazmagorike për demonstratën, qeveria vuri në punë edhe mekanizmin tjetër: bllokimin e depërtimit në brendësi dhe thellësi të saj, sidomos zbulimin e krimit që kulmoi me vrasjen e katër demonstruesve. Qeveria ndërtoi një ofiçinë, pikërisht për bllokimin e pasqyrimit realist dhe pengimin e hetimeve të ngjarjes. Puna e parë në këtë ofiçinë ishte pastrimi i serverit të Kryeministrisë, veprim i cili, kur ishim duke shkruar librin, nuk ishte zbardhur ende.
Ju u jepni një vend qendror në libër katër të vrarëve. Çtë reja kanë zbuluar kërkimet tuaja sociologjike për ta?
Ajo që bie në sy në historinë e jetës së tyre, të ndërprerë nga plumbat, është se Hekurani, Ziveri, Faiku dhe Aleksi ishin katër njerëz të zakonshëm. Ata erdhën në protestën, e cila do të ishte e fundit për ta, natyrshëm dhe pa asnjë përgatitje të veçantë. Kalendari i tyre ishte ai i ditëve te tjera të protestave: thirrje për drejtësi, qeverisje të mirë, zgjedhje të lira, luftë kundër varfërisë dhe jetë më të mirë. Dhe menjëherë pas protestës, kthimin bashkë më shokët e miqtë, në shtëpi. Disa në punën e sipërmarrjen, disa në varfërinë e tyre. Por ndryshe nga herët e tjera, për Hekuranin, Ziverin, Faikun dhe Aleksin, ky kthim nuk ndodhi. Ajo që të katërt e kishin menduar si protestën e fundit, u bë vërtet e tillë. Por jo sepse qeveria i dëgjoi kërkesat e tyre. Por sepse ata u vranë nga plumbat dhe për këtë shkak nuk mund të protestojnë më. Dy prej tyre, Hekurani dhe Aleksi, që ishin njëkohësisht më të rinjtë, para se të vriteshin, kishin prerë biletat e udhëtimin për tu kthyer në vendin e emigrimit.
Përpara se të merrte pjesë në protestën e tij të fundit të jetës në 21 janar, emigranti i ndërprerë Hekuran Deda kishte marrë pjesë në dhjetëra protesta