E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Prendi e Llupo kundër dy ekspertizave

Agim Llupo, dje në gjykatë

Gjykata e Tiranës zhvilloi dje seancën e parë gjyqësore në ngarkim të të akuzuarve për vrasjet e protestuesve në demonstratën e 21 janarit 2011 para godinës së Kryeministrisë. Ndrea Prendi, ish-kreu i Gardës së Republikës, si edhe gardistët Agim Llupo e Margarit Kume, ishin të pranishëm në seancë në krah të mbrojtësve të tyre. Seanca zgjati më pak se dhjetë minuta. Avokatët e të pandehurve Prendi dhe Kume pretenduan deklarimin e pavlefshëm të disa akteve të dosjes. Për shkak se prokurorët kërkuan kohë për tiu përgjigjur pretendimeve të avokatëve, trupa gjykuese ndërpreu seancën dhe caktoi si datë të re 4 qershorin.
SEANCA
Në orën 11:20, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha, çeli procesin e dosjes 21 janari në një sallë të tejmbushur me oficerë të Gardës dhe përfaqësues të medias. Ballë tyre, në bankën e të akuzuarve, ndodheshin të pandehurit Ndrea Prendi dhe Margarit Kume. I pandehuri Agim Llupo u shfaq në kafazin e sallës së gjyqit si i vetmi i pandehur i procesin që gjykohet në arrest me burg. Fill pas prezantimit të palëve, kryesuesi Hoxha i ftoi palët në paraqitjen e kërkesave paraprake. Avokatët e të pandehurve

Ndrea Prendi dje në bankën e të akuzuarve

Llupo dhe Prendi kërkuan pavlefshmëri relative të akt-ekspertimeve të trupave të Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës. Mbrojtësit argumentuan se ekspertimet janë realizuar një ditë përpara se Prokuroria të urdhëronte kryerjen e akt-ekspertimeve. Të gjendur përpara kësaj situate, prokurorët kërkuan kohë për të dhënë një përgjigje. Për shkak të volumit të madh dhe kompleksitetit të dosjes, na nevojitet kohë për të bërë verifikimin, u shprehën përfaqësuesit e akuzës. Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorëve për ti dhënë kohë për tu dhënë përgjigje kërkesave të avokatëve. Për këtë shkak shtyhet seanca për në datën 04.06.2012, ora 11:00″, thuhej në shënimet e Gjykatës për seancën.
AKUZAT
Referuar kërkesës për gjykim, akuza zyrtare e Prokurorisë për Ndrea Prendin është ajo e vrasjes me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj, si dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë. I pandehuri Agim Llupo akuzohet për vrasje me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy, ose më shumë personave me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ndërsa i pandehuri Margarit Kume do të përballet me akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ditët në vijim, në Gjykatën e Tiranës pritet në nisë gjykimi ndaj Armando Kasajt, i cili akuzohet se ka fshirë regjistrimet e pamjeve filmike të demonstratës nga serveri i Kryeministrisë.

Avokati
Pas përfundimit të seancës, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Ndrea Prendi, avokati Genc Gjokutaj, e akuzoi Prokurorinë për papërgjegjshmëri. Duke ripohuar se janë bërë ekspertime me vendime të marra pas kryerjes së tyre, avokati shtoi se: Ne nuk mund ta tolerojmë këtë. Është një nga shkeljet me flagrante dhe që tregon për joseriozitetin e hetimit. Akoma më joserioz është qëndrimi i prokurorëve, të cikët kërkojnë kohë që të njihem me aktet, të cilat i kanë përpiluar vetë.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›