Dajti fyen e kërcënon gjyqtaren në seancë

Dritan Dajti në gjyq
Për të dytën herë brenda pak javësh, Dritan Dajti shpërthen në kërcënime dhe ofendime drejt trupës gjykuese të dosjes së tij te Krimet e Rënda. I akuzuari për vrasjen e katër policëve në gusht të vitit 2009 në Durrës, reagoi ashpër dje nga kafazi i sallës së gjyqit kur kryesuesja i kërkoi të ndërpriste fjalën. Ju q… robt dhe fraza të tjera më të rënda ofenduese u shqiptuan nga Dajti. Menjëherë punonjësit e Policisë zbatuan urdhrin e gjykatës për nxjerrjen e tij nga salla, për shkak të thyerjes së etikës në proces. Gjakrat u ndezën kur palët po diskutonin mbi ngërçin që ka zënë këtë proces prej trembëdhjetë seancash. Referuar situatës, prokurori i kërkoi trupit gjykues të kërkonte informacion nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Të kërkojmë informacion mbi veprimet e kryera për të gjitha rastet që gjykata ka referuar si shkak mungesat e avokatëve, tha prokurori. Pas kërkesës së përfaqësuesit të akuzës erdhi reagimi i Dajtit. Kërkoj të procedohet në të njëjtën mënyrë kur ju keni qenë në SHBA dhe gjyqi nuk është zhvilluar, u shpreh Dajti duke iu drejtuar gjykatës. Fill pas kësaj, Dajti përmendi një kallëzim të bërë nga disa prej anëtarëve të trupës gjykuese ndaj tij, për një seancë të kaluar ku ai ofendoi gjykatën. Tentativa e trupës gjykuese për të ndërprerë fjalën e tij u pasua me rebelimin e të pandehurit, i cili nuk kurseu një breshëri tjetër të sharash dhe ofendimesh drejt trupës.
ZVARRITJA
Pamundësia e zhvillimit të seancës u vu re që në nisje të saj. Kjo për shkak se në kafazin e sallës ndodhej vetëm i pandehuri Dajti. Dy të bashkëpandehurit e tij, Ergest Xhoxhi e Mariglen Muça mungonin. Ndërsa nga mbrojtësit ishte vetëm avokati Remzi Ponari, që përfaqësonte interesat e të pandehurit Dajti. Shtyrja e djeshme e çoi në trembëdhjetë numrin e seancave të dështuara radhazi të këtij procesi. Pas përfundimit të seancës, përmes një reagimi zyrtar, Gjykata për Krimet e Rënda kërkoi zhbllokimin e situatës. Mungesa e avokatëve mbrojtës në mënyrë të herëpashershme është një sfidë për gjykimin e çështjeve të tilla me pasojë vrasjen e katër punonjësve të Policisë, çka përbën cenim të integritetit të Gjykatës. Për këtë arsye, Gjykata e Krimeve të Rënda reagon dhe një herë me forcë për zhbllokimin e kësaj situate, duke kërkuar që Dhoma e Avokatisë Tiranë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë të marrin masa dhe të shqyrtojnë ankesat e Gjykatës për sjelljet e avokatëve, duke filluar procedurat disiplinore për avokatët e këtij procesi që veprojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe Kodin e Etikës së Avokatëve, thuhej në reagimin e Gjykatës për Krimet e Rënda.
Armand Bajrami