Lushnjë, plumba tregtarit të viçave
Grabitet dhe plagoset me armë tregtari i viçave. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, në fshatin Lifaj të komunës Krutje, kur Rasim Godina nga fshati Qerret i Lushnjës është plagosur me armë nga persona ende të paidentifikuar. Autorët i kanë marrë 800 mijë lekë dhe motorin me të cilin udhëtonte ai së bashku me të vëllain. Policia e Fierit ka deklaruar se Godina, së bashku me vëllain e tij, P.G, kishin shitur disa viça në fshatin Zhymë të Lushnjës dhe ishin duke u kthyer për në fshatin e tyre, Qerret. Siç kanë treguar për Policinë vetë dy viktimat e atentatit, 45-vjeçari është plagosur në këmbë pas kërcënimeve të shumta që dy autorët u kishin bërë vëllezërve. Për efektivët blu, vëllezërit Godina kanë treguar se rreth orës 05:00 ata ishin duke udhëtuar me një motor në rrugën e fshatit Lifaj, pasi kishin mbaruar tregtimin në pazarin e Zhymës. Ne po ecnim me motor, kur dy persona të armatosur dhe të maskuar na kërcënuam të ndalonim dhe tu jepnim lekët. Ne nuk ndaluam dhe tentuam të largoheshim kur e pamë që po kërkonin të na grabisnin, por ata qëlluan me armë nga këmbët tona dhe vëllai im, Rasimi u plagos. U detyruam të mos ecnim më dhe ata na morën çantën me lekë e motorin dhe ikën me shpejtësi. Nuk mundëm të njihnim asnjërin prej tyre, as nga zërat, ka deklaruar për Policinë njëri prej vëllezërve, P.Godina.
Policia, e lajmëruar prej vëllezërve Godina, ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Edhe burimet zyrtare nga Policia tregojnë se autorët e maskuar, pasi i kanë kërcënuar vëllezërit Godina, i kanë qëlluar me armë nga këmbët dhe, ndërsa dy vëllezërit janë rrëzuar nga motori, grabitësit u kanë marrë lekët si dhe motorin, e më pas janë larguar me shpejtësi. Sipas deponimit të vëllezërve në polici, mendohet se dy autorët i kanë ruajtur vëllezërit gjatë kohës që kanë bërë tregtimin e gjedhëve në orët e para të mëngjesit dhe më pas i kanë ndjekur ata. Pas plagosjes, 45-vjeçari është shoqëruar për në spitalin e Lushnjës dhe është jashtë rrezikut për jetën. Burime nga banorë të zonës tregojnë se në fshatin Zhymë të Lushnjës, çdo të mërkurë pas mesnate ndërtohet tregu i improvizuar i bagëtive të imta dhe gjedhëve. Kjo traditë shitjeje njihet gjerësisht si nga vetë tregtarët, ashtu edhe nga blerësit apo konsumatorët. Dy vëllezërit Godina, të martuar dhe me fëmijë, e kishin kthyer në punë për tu ushqyer këtë tregti. Ata rrisnin viçat e vegjël dhe, në çastin që mendonin se ishin bërë për të shkuar thertoreve, i shisnin ata.
LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA