Pezullohet për 1 vit licenca e Kristal
Vendimi i Qeverisë pas skandalit me diplomën false të Renzo Bossi-t: Kontroll çdo tre muaj për cilësinë.
MASH: Sdo presë studentë të rinj. Kemi raportin e plotë me shkeljet.
Pezullohet për një vit licenca e universitetit privat Kristal. Kjo shkollë e lartë nuk do të presë në tetor studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ajo ofron. Pas skandalit me diplomat false, qeveria miratoi dje propozimin e Ministrisë së Arsimit. Ky dikaster ka gati një raport të plotë për të gjitha shkeljet e bëra. Të dhënat janë grumbulluar pas kontrolleve të kryera nga inspektorët. Megjithatë, MASH bën me dije se procesi i monitorimit vazhdon edhe për shkollat e tjera të larta, duke e argumentuar këtë si arsye për mospublikimin e raportit. Universiteti Kristal duhet të marrë masa që studentët e regjistruar të mbarojnë vitin e nisur akademik sipas kohëzgjatjes së përcaktuar. Pezullimi është bërë për të gjitha programet dhe ciklet e studimit, tha dje gjatë një konference për shtyp drejtoresha e Arsimit të Lartë dhe atij privat në MASH, Edlira Late. Sipas saj, gjatë një viti pezullim, ky universitet do ti nënshtrohet një inspektimi periodik çdo tre muaj. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik çdo tre muaj në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë, përcakton vendimi. Sipas tij, në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, shkolla e lartë universitare jopublike Kristal, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi. Në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, MASH do të propozojë masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë, thuhet në vendim.
Kjo masë erdhi pas bërjes publike të skandalit të diplomave të marra nga djali i Umberto Bossi-t, Renzo Bossi, dhe një shoqërues i familjes, pa qenë fare në Shqipëri. Pak ditë më parë, Ministria e Arsimit ndërmori një kontroll për të vërtetuar nëse në këtë mënyrë janë pajisur me diploma edhe shumë studentë në Shqipëri. Megjithatë, Ministria e Arsimit nuk bëri të ditur se çfarë është zbuluar nga ky kontroll. Ka një raport të hollësishëm për të gjitha verifikimet që janë kryer. Ky institucion i arsimit të lartë është pjesë e këtij kontrolli. Moszbatueshmëria e legjislacionit çoi në ndërmarrjen e kësaj pakete masash, tha drejtoresha e Arsimit të lartë dhe atij privat në MASH.
Prokuroria e Tiranës ka nisur gjithashtu hetimet për falsifikim të dokumenteve zyrtare, pas skandalit të bërë publik në mediat italiane e më pas në ato shqiptare.
Hetimet e Prokurorisë
Prokuroria ka zgjeruar hetimet ndaj universitetit Kristal. Duke tejkaluar rastin e dy shtetasve italianë, Renzo Bossi dhe Pierangelo Moscaguiro, truprojë e senatores italiane Rosy Mauro, Prokuroria ka dyshime se diplomat janë falsifikuar edhe në disa raste të tjera. Fjala është për persona që janë regjistruar në vitin e dytë apo të tretë dhe që kanë marrë nota sikur të kishin frekuentuar tri vitet, vetëm sepse kanë pranuar të kryejnë pagesën sikur të kishin frekuentuar në mënyrë të rregullt.
ZIRINA LLAMBRO