E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, vdes motoçiklistja greke

Viktima dje në vendin ku ndodhi aksidenti

Ngjarja në autostradë. 37-vjeçarja ishte e fundit në garën e të rinjve.

U përplas me bordurën, turiste me një grup motoristësh.

Udhëtimi turistik i një grupi të rinjsh grekë me motorë në autostradën Fier-Lushnjë i ka kushtuar jetën një 37-vjeçareje. Motoçiklistja Maria Eleni gjeti vdekjen e menjëhershme dje rreth orës 15:00, pasi si pasojë e shpejtësisë dhe lagështisë në rrugë ajo humbi drejtimin e mjetit. Bashkudhëtarët e tjerë, të cilët kishin ardhur për të kaluar fundjavën të gjithë me motorë, e kanë pikasur mungesën e 37-vjeçares rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Maria Eleni, 37 vjeçe, shtetase greke me banim në qytetin Volos, Greqi, gjeti vdekjen në një aksident rrugor, në vendin e quajtur Rrapëz në aksin rrugor Fier-Lushnjë. Ajo ka qenë duke udhëtuar me një motoçikletë, kur si pasojë e lagështirës në rrugë dhe shpejtësisë së madhe, është rrëzuar dhe më pas është përplasur në pjesët ndarëse metalike të karrexhatave rrugore. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe si pasojë ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme, bënë të ditur burime të Policisë. Të rinjtë grekë deklaruan për policinë se viktima ka qenë në udhëtim bashkë me grupin e tyre të motoçiklistëve. Ata ishin nisur nga qyteti i Volosit në Greqi për të kaluar fundjavën në Shqipëri. Sipas tyre, motorët kanë qenë të gjithë në lëvizje, kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Një banor i zonës, dëshmitar okular i aksidentit të rëndë, u shpreh se kishte parë momentin kur motori ishte rrëzuar. Sipas tij, drejtuesja e motorit kishte kaskën mbrojtëse në kokë. Motori u rrëzua dhe është rrotulluar në rrugë në një gjatësi prej më shumë se 70 metra. Më pas përfundoi në pjesën e hekurt ndarës të rrugës, duke u përplasur aty.  Policia tha se kanë qenë 10 motorë në lëvizje dhe viktima ka qenë e fundit. Bashkudhëtarët e saj nuk e kanë parë momentin tragjik. Ata e kanë mësuar më vonë atë çka kishte ndodhur. Sipas dëshmisë së tyre, ata do të qëndronin mbrëmë në Lushnjë. Por ata bënin guida thuajse çdo fundjavë nëpër rrugë të ndryshme të Shqipërisë. Ishte një pamje e tmerrshme. Ishin të gjithë duke ecur me motorë dhe po tërhiqnin vëmendjen e kalimtarëve, pasi ishin me shpejtësi dhe motorët bënin zhurmë. Më pas, një prej tyre rrëshqiti në krahun e majtë të motorit dhe vazhdoi duke u zvarritur e rrokullisur deri në përplasjen me hekurat ndarës të rrugës. Motoçiklistja ishte e mbrojtur në kokë, por gjatë rrëzimit pësoi shumë përplasje dhe dëmtime në trup, u shpreh dëshmitari K.M. Pas sinjalizimit të dhënë, në vendngjarje mbërriti policia si dhe një mjet autoambulancë, por mjekët konstatuan se viktima kishte ndërruar jetë.

Ambasada
Trupi i 37-vjeçares është çuar në morgun e qytetit të Lushnjës, ndërsa bashkudhëtarët e saj, miqtë motoçiklistë, kanë njoftuar të afërmit e gruas për të tërhequr trupin. Mësohet se Ministria e Jashtme ka njoftuar gjithashtu Ambasadën Greke në Tiranë për ngjarjen në të cilën është përfshirë grupi i motoristëve grekë, me pasojë aksidentin me vdekje të njërës prej tyre.

FIER/ MAJLINDA RAMA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›