E Diel, 1 Nëntor 2026

Plehrat në Krujë, Mjedisi padit për ndotje zyrtarin

Në polici edhe administratori i firmës “Rinia 96″. Hetohen të lirë.

Nuk derdhën plehrat në vendgrumbullim, hetohen në gjendje të lirë drejtori i Shërbimeve Publike pranë Bashkisë së Krujës dhe administratori i firmës Rinia 96 sh.p.k., e cila ushtronte aktivitetin në fushën e grumbullimit e asgjësimit të plehrave në Krujë. Sipas Policisë, Isa Shezi, 50 vjeç dhe Shkëlqim Miri, 41 vjeç, të dy banorë të Krujës, akuzohen për ndotje të ambientit. Rasti në fjalë është vërtetë i çuditshëm, kur shikon se si ndotet ambienti nga vetë personat që paguhen për ta mbajtur sa më pastër atë. Për arsye ende të paqarta, prej disa kohësh procesi i eliminimit të mbetjeve urbane në qytetin e Krujës nuk kryhej si duhet. Kamionët e firmës Rinia 96, të cilët merren me transportin e mbetjeve drejt vendgrumbullimit të tyre, nuk i kanë shkarkuar ato në vendin e caktuar, por për të shkurtuar distancë i kanë hedhur rrëzë një kodre, pranë fshatit Halil. Rasti në fjalë është konstatuar nga agjentë të Inspektoratit të Mjedisit. Pak ditë më parë, gjatë inspektimeve në terren, inspektorët vërejtën fenomenin se plehrat e qytetit të Krujës nuk dërgoheshin në vendin përkatës, por hidheshin në mes të rrugës. Në këto kushte, Inspektorati i Mjedisit ka depozituar pranë Policisë një kërkesë që të hetohet rasti në fjalë. Ndërkohë që policia po heton mbi padinë, burime konfidenciale pohuan se ka prova të pakundërshtueshme që prej disa kohësh kamionët e firmës Rinia 96 sh.p.k. derdhnin disa kilometra në të dalë të qytetit plehrat, të cilat duhet ti dërgonin në vendgrumbullim. Drejtori i Shërbimeve Publike, Isa Shezi dhe administratori i firmës Rinia 96, Shkëlqim Miri, akuzohen për veprën penale të ndotjes së ambientit. Sipas Policisë, Shezi, duke qenë në postin e drejtorit dhe duke mos marrë masa për grumbullimin, pastrimin e asgjësimin e plehrave, është përgjegjës i drejtpërdrejtë për ndotjen e ambientit në qytetin e Krujës. Gjithashtu blutë e Durrësit pohuan se edhe mbi 41-vjeçarin Miri rëndon e njëjta akuzë, ajo e ndotjes së ambientit. Sipas Policisë, shtetasit në fjalë nuk kanë marrë masa konkrete për asgjësimin e mbetjeve urbane, duke u bërë shkas për ndotjen e konsiderueshme të ambientit në fshatin Halil të Bashkisë së Krujës.

Plehrat
Pak ditë më parë, i gjithë Plazhi i Durrësit u pushtua nga mbeturina urbane dhe industriale. Nga grykëderdhja e Ishmit e deri në afërsi të Shkëmbit të Kavajës bregu i detit u mbush me tonelata mbeturinash. Ato derdhen në Adriatik nga prurjet e lumenjve dhe më pas rrymat detare i transportojnë drejt bregut. Situata e fillimit të kësaj jave shkaktoi alarm tek autoritetet, të cilat nisën verifikimin në terren mbi burimin e ndotjes ekologjike.

KRUJE/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›