E Shtunë, 31 Tetor 2026

21 janari, Rama viziton sot familjen e Hekuran Dedës

TIRANË- Kryetari socialist, Edi Rama viziton sot, familjen e një prej viktimave të 21 janarit, Hekuran Dedës. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, në një vizitë private, Edi Rama ka zgjedhur të bëjë këtë vizitë, pikërisht ditën e Krishtlindjeve e vetëm pak ditë para Vitit të Ri. Në 21 janar bëhet fiks një vit, që nga dita kur Hekuran Deda u vra në bulevardin kryesor të Tiranës, gjatë protestës së opozitës. 32-vjeçari Deda, babai i dy fëmijëve, ishte kthyer vetëm para dy muajsh (nga 21 janari 2011) nga emigrimi për shkak të papunësisë dhe ishte sërish i papunë në Shqipëri. Ditën e protestës, vrasja e Dedës është filmuar nga të gjitha televizionet, për shkak të rënies së tij, të beftë, prej podiumit, ku ishin vendosur kamerat.

Deda është një prej viktimave që ranë në 21 janar 2011, veç Ziver Veizit, që humbi jetën shumë pak larg portës së Kryeministrisë, Faik Myrtos dhe Aleks Nikës, i cili u plagos rëndë dhe humbi jetën vetëm disa ditë më vonë, në një prej spitaleve të Turqisë ku u nis për kurim. Nuk dihet ende nëse opozita ka menduar të bëjë një tubim, në njëvjetorin e 21 janarit, ndërkohë që lidhja e emigrantëve shqiptarë me qendër në Romë të Italisë ka lajmëruar një protestë të tillë para Prokurorisë së Përgjithshme në këtë datë të vitit 2012.

Kryetari i opozitës ka akuzuar Gardën e Republikës se ka zbatuar urdhrat politikë dhe ka qëlluar mbi protestuesit e pafajshëm. Pas tmerrit të 21 janarit, Edi Rama u shfaq me familjen e tij, bashkëshorten dhe nënën, pikërisht në familjen e Hekuran Dedës, pak ditë pasi ai u përcoll në banesën e fundit.

Edhe sot, Rama me bashkëshorten kanë menduar të kujtojnë këtë familje dhe fëmijët e Hekuran Dedës, për të dhënë mesazhin se nuk i kanë harruar ata që dhanë jetën “për një Shqipëri më të mirë”, siç i ka cilësuar kreu socialist 4 viktimat, pas vrasjes. Ndërkohë, Prokuroria ende nuk i ka dhënë fund hetimit dhe vazhdon e merr në pyetje deputetë të opozitës si dhe pjesëmarrës në këtë protestë ende sot, pas një viti.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›