Rrëshqet makina në akull, vdes 50-vjeçarja
PESHKOPI-Një makinë me targa të Durrësit ka shkaktuar aksident me pasojë vdekjen e një personi në aksin rrugor Maqellarë-Peshkopi. Ngjarja ndodhi rreth orës 22.30 të ditës së mërkurë. Burime nga policia bëjnë të ditur se 50-vjeçarja Osmani, banuese në Dibër, ka humbur jetën pasi makina tip benz është përplasur me parmakët e rrugës për shkak të akullit dhe dëborës në trasenë e saj. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë, të cilët e kanë patur të pamundur t’i shpëtojnë jetën Osmanit, pasi ajo kishte pësuar dëmtime serioze në trup. Policia njoftoi se ka ndaluar drejtuesin e makinës deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë. Moti i keq, me temperatura të ulëta, akull dhe dëborë, ka sjellë probleme për poseduesit e mjeteve, sidomos për emigrantët që kthehen pranë familjeve të tyre për festat e fundvitit. P. H