E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Në 2012, fundi i fazës së pavarësisë së mbikëqyrur

Kryeministri Hashim Thaçi tha se në janar, Kosova pret një përgjigje pozitive për përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur. Ai komentoi situatën në veri të Kosovës, vizitën e Merkel dhe bisedimet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se viti 2012 do të shënojë përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur dhe se në janar pritet vendimi për këtë çështje. Ai tha se ky vendim varet nga zbatimi i plotë i planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.

Zoti Kryeministër, Kosova e filloi vitin me një proces zgjedhor të stërzgjatur dhe me një situatë të vështirë të krijuar pas raportit të të dërguarit të Këshillit të Europës, Dick Marty. Viti po përmbyllet me veriun e trazuar e të bllokuar. Gjykuar nga zhvillimet ishte një vit i gjatë, a ishte i tillë edhe për ju?

Realisht, Kosova vitin 2011 e filloi me vështirësi dhe sfida jo të lehta, por e përmbylli me një sukses të plotë. Ky vit ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm për të gjitha sferat e jetës institucionale por edhe qytetare. Duke filluar nga vështirësitë dhe procesi i tejzgjatur elektoral, që u reflektua në vonesën për ndërtimin e institucioneve, në veçanti për zgjedhjen e presidentit. Por, në të njëjtën kohë, Kosova dëshmoi se ka rend demokratik, se ka kulturë politike, se po e dëshmon veten në kuptimin e demokracisë, se ka krijuar traditën edhe elektorale, edhe të ndërtimit të institucioneve, edhe të konsensusit politik për interesa shtetërore mbi ato partiake. Për të vazhduar pastaj me përkushtimet e tjera në të gjitha sferat e punëve për të cilat edhe kishim kërkuar besimin e qytetarëve. Natyrisht, Kosova për fat të keq, u ballafaqua edhe me sulme jo të lehta nga ata që pretendonin të ndryshojnë dhe ndërrojnë historinë e Kosovës, për të vënë balancën në mes Kosovës dhe Serbisë, balancë në kuptimin moral. Por, ato përpjekje të motivuara politike do të dështojnë plotësisht duke u besuar institucioneve të drejtësisë dhe vetëm të së vërtetës. Kështu që sot Kosova është vend i konsoliduar, po fuqizohet çdo ditë, Kemi fituar njohje nga 85 shtete, jemi anëtarësuar në Bankën Botërore dhe FMN, përmbyllja e këtij viti solli edhe axhendën konkrete, europiane, unike për Republikën e Kosovës, dialogun për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve kontraktuale dhe tregtare me BE-në dhe anëtarësimin e shpejtë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim. Pra, viti 2011 ishte viti i konsolidimit të shtetit, ishte viti i Kosovës

Zoti Kryeministër, presidenti serb, Boris Tadiç tha se një model si ai i Irlandës, apo Tirolit jugor e madje edhe i dy Gjermanive të pasluftës së dytë botërore mund të ishte shembull për zgjidhjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa janë të mundshme këto modele?

Kosova është vend i pavarur e sovran, me integritetin e saj territorial të njohur dhe të garantuar ndërkombëtarisht. Ndryshimi i kufijve është i pamundur që të ndodhë. Ne punojmë si Kosovë për një rajon me kufi të hapur, të evropianizuar. Në asnjë rrethanë nuk do të ketë model të tillë çfarë pretendohet nga autoritetet e Beogradit, apo që deklarohen aty- këtu, modeli gjermano-gjerman, apo modeli Katalonisë, Tirolit apo Irlandës. Kosova është rast specifik, është vend sovran i njohur prej shumicës së vendeve të botës, vendeve më të fuqishme. 25 korriku e ka shuar njëherë e përgjithmonë ëndrrën e Beogradit dhe projektin e Beogradit për ndryshimin e kufijve të Kosovës për ndarjen e Kosovës. Ne do të jemi afër qytetarëve në veri, ata janë qytetarët tanë, Kosova është shtëpia jonë. Do ta ndërtojmë bashkërisht, por gjithmonë duke respektuar në kuptimin më afirmativ të drejtat e komuniteteve. Ata që mbjellin frikë, që kërcënojnë qytetarët do të ballafaqohen me drejtësinë, ndërsa unë si kryeministër i Kosovës, institucionet e Kosovës do t’ju shërbejmë të gjithë qytetarëve pa dallim etnik. Ne duam të investojmë edhe në atë pjesë të Kosovës dhe qytetarët kanë nevojë për këto ndryshime. Ata kanë nevojë më tepër për shkolla të reja, ambulanca, kanalizim, ujësjellës, për një jetë të re, sesa për politikën e vazhdueshme mashtruese të Beogradit.

Pas takimit me ju, kancelarja gjermane Angela Merkel, kërkoi që siç tha edhe Kosova të japë më shumë në zgjidhjen e situatës në veri. Cilat ishin saktësisht kërkesat e saj zoti Kryeministër?

Vizita e kancelares Merkel ka qenë mesazhi më i qartë për përkushtimin jo vetëm të Gjermanisë, por përkushtimin e BE-së për evropianizimin e rajonit. Mesazhi ishte shumë i qartë se nuk do të ketë struktura ilegale dhe paralele, se Kosova është sovrane dhe integriteti territorial i saj është i paprekshëm, se për të lëvizur drejt BE-së, secili shtet e ka obligim normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Dhe e ardhmja e Serbisë për në BE kalon përmes procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore me Kosovën, siç varet edhe e ardhmja jonë evropiane dhe e vendeve të tjera, sepse fqinjësia e mirë është parakusht për të ardhme evropiane të të gjitha vendeve në rajon. Kështu që, ne do të respektojmë në përpikëri dokumentin më të avancuar për komunitete që e ka ndonjë vend evropian e ai është dokumenti i presidentit Ahtisaari.

S’kishte ndonjë kërkesë më të posaçme se çfarë mund të bëjë më shumë Kosova?

Kosova do të vazhdojë të jetë sa më afër qytetarëve në veri. Ne duam të jemi sa më afër tyre, ne mesin e tyre, t’i dëgjojmë, të komunikojmë dhe t’i kuptojmë drejt shqetësimet e qytetarëve. Për fat të keq, aty janë 200 – 300 njerëz që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme tash e 12 vite përmes kontrabandës, që mbajnë peng vullnetin e qytetarëve në veri, që kërcënojnë njerëzit, që nxjerrin fëmijë, gra dhe pleq në rrugë por edhe barrikada, që paguajnë njerëz për të qëndruar në barrikada të ndryshme. Prandaj, zgjidhja e vetme është lëvizja e lirë dhe krijimi i hapësirës dhe kushteve demokratike për jetë të re integruese në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Shembulli më i mirë është pjesa tjetër e Kosovës ku janë formuar komuna të reja, ku më herët ka pasur barrikada dhe struktura paralele. Me heqjen e barrikadave kemi lëvizje të lirë. Me largimin e strukturave ilegale, kemi institucione legjitime. Bashkëpunimi në mes qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve lokale është i shkëlqyeshëm. Ne investojmë atje dhe shembulli më i mirë është Shtërpca ku për 12 vite të tëra ishin bllokuar investimet në qendrën e skive në Brezovicë. Tash procesi i privatizimit ka filluar. Do të investohen mbi 100 milion euro. Ato investime shkojnë më së tepërmi në interesin e vetë komunitetit lokal. Prandaj ne duam që edhe në veri të kemi rend demokratik, të kemi sundim të ligjit, demokraci, zgjedhje të lira, lidership legjitim dhe të vazhdojmë me investime socio-ekonomike. Kjo është zgjidhja e vetme dhe është shumë afirmative por edhe obligim i yni kushtetues dhe ligjor.

Në hapjen e kësaj perspektive, e keni përmendur edhe çështjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave. Por, edhe ju vetë e keni thënë se ka disa sfida siç janë edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kosova këtë vit doli në një pozitë aspak të mirë me shkallën e korrupsionit. Cili është shpjegimi nga pikëpamja juaj, zoti Kryeministër?

Perspektiva evropiane për Kosovën është arritur pikërisht nga qeverisja e mirë, nga zotimi ynë për zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është arritur kjo perspektivë në bazë të qeverisjes efektive dhe efikase, punës konkretë që është bërë në listën për implementimin e agjendës evropiane. Unë më herët kisha premtuar hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave për 15 muaj, kjo ndodhi për 9 muaj. Por, kjo nuk duhet të na kënaqë. Ne kemi një listë të tërë që duhet ta implementojmë edhe në të ardhmen, në mënyrë që definitivisht të kemi lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës në Evropë. Ajo listë do të implementohet dhe është një punë e madhe ekipore që po ndodh. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar do të vazhdojë të mbetet një nga sfidat kryesore si fenomen edhe rajonal. Por, institucionet e Kosovës, qeveria e saj janë zotuar që të vazhdojnë. Natyrisht, në këtë drejtim kërkohet mbështetje e të gjithëve, koordinim nga të gjithë edhe qeverisë, edhe parlamentit edhe presidencës edhe shoqërisë civile edhe medieve dhe të gjitha autoriteteve tjera. Por, gjithmonë duhet kuptuar edhe atë se pushtetet janë të ndara. Gjithçka që do të varet nga ekzekutivi kosovar, ne do ta kryejmë. Kërkohet këmbëngulësi dhe efikasitet edhe më i madh nga autoritetet e drejtësisë, për çka kam besim se do të ketë lëvizje edhe më efektive edhe prej tyre. Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete më tepër për sistemin e drejtësisë

Zoti Kryeministër, Kosova po hyn në vitin e katërt të pavarësisë së saj të mbikëqyrur. Është paralajmëruar se kjo mbikëqyrje një ditë duhet të përfundojë. Kur e prisni një proces të tillë?

Viti 2012 është viti kur do të mbushen katër vjet të pavarësisë së Kosovës. Do të jetë viti i përmbushjes së obligimeve tona që kemi në përputhshmëri me dokumentin e presidentit Ahtisaari. Pra, do të jetë viti i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Natyrisht, nëse ne do të kemi rezultate konkrete, por kam besim të plotë se do ta përmbyllim me sukses.

Çka e ndan Kosovën nga kjo pikë, nga ky moment?

Kosova ka lëvizur shumë përpara. Është duke u fuqizuar çdo ditë, është duke vërë reforma të thella demokratike në të gjitha sferat. Ne duhet t’i kryejmë obligimet që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisaari në tërësi. Mbi 90 për qind të këtij dokumenti veç e kemi implementuar dhe do të vazhdojmë me dinamikën e njëjtë edhe vitin e ardhshëm. Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të mblidhet në Vjenë, në fund të janarit. Do të vlerësojë të arriturat e Kosovës dhe do të marrë vendim për të ardhmen e këtij procesi. Por, unë kam besim se progresin që do ta prezantojë në Vjenë në fund të janarit, do të jetë bindës për të gjitha shtetet e Grupit ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës dhe do të jetë një vendim unik që të intensifikohet gjithë axhenda e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur për Republikën e Kosovës. Kosova është e zonja të vetëqeverisë mirë. Marrë nga VOA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›