E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët peticion kundër drejtorit të LSI: Po shkatërron spitalin

Mjekët e spitalit Rajonal Omer Nishani në Gjirokastër, japin alarmin për keqmenaxhimin e këtij institucioni të rëndësishëm nga ana e drejtuesit Genci Sinojmeri. Gjendja kritike që po mbizotëron në spitalin e vetëm rajonal në jug të Shqipërisë, autoritarizmi, veprimet klienteliste të Genc Sinojmerit dhe shkelje të rënda në punë, e kanë bërë atë personin më të urryer për shumicën e mjekëve dhe infermiereve. Këta të fundit, kanë thyer heshtjen dhe kërkojnë zyrtarisht nga autoritetet më të larta të Ministrisë dhe organizmave të tjera shtetërorë, shkarkimin e drejtorit Sinojmeri. Mjekë të ndryshëm, i janë drejtuar me një peticion ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasilit, prefektes së Qarkut të Gjirokastrës Mimoza Çomo dhe drejtueses rajonale të ISKSH Teuta Kalemit, ku i kërkojnë këtyre, marrjen e menjëhershme të masave konkrete për zgjidhjen e situatës alarmante me të cilën po operon prej katër muajsh, drejtori i spitalit rajonal të Gjirokastrës Genci Sinojmeri. Ata kanë shprehur indinjatën e tyre për mënyrën se si drejtohet spitali rajonal nga zoti Sinojmeri.

Krahas mungesës së barnave dhe shërbimeve të domosdoshme në spital, mjekët rebelë kanë vënë në dukje edhe mungesën e organizimit dhe përgjegjësisë nga ana e drejtorit Sinojmeri. Ajo që bie në sy, nuk ka të bëjë vetëm me paaftësinë për të drejtuar një institucion të rëndësishëm si spital rajonal, por është niveli i dobët i komunikimit, shfaqja e arrogancës nga ana e Sinojmerit, mungesa e seriozitetit, transparencës dhe vullnetit për të bashkëpunuar nga ana e tij, thuhet ndër të tjera në peticionin e nënshkruar nga 10 mjekë të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës.

Mjekët e spitalit ndër ta emra mjaft të nderuar të mjekësisë gjirokastrite, shprehin shqetësimin dhe indinjatën e tyre për lëvizjet e pamotivuara të ndërmarra nga Sinojmeri në 4 muajt e fundit duke marrë në punë njerëz të pashkolluar, çka bie në kurriz të personelit. Nisur nga interesa krejtësisht private, Sinojmeri, ka transferuar pagat e punonjësve nga një bankë në tjetrën që sipas mjekëve kjo është bërë krejtësisht në mënyrë abuzive-thuhet në peticion. Mjekët e indinjuar kanë bërë prezente shqetësimin e tyre dhe skandaloze, mosfunksionimin e komisionit mjekësor, këshillit administrativ, si dhe mungesën e analizave të detyrueshme të aktivitetit tekniko-profesional. Këto kanë ardhur si pasojë e mungesës së përgjegjësisë së drejtorit Sinojmeri. Për të gjitha këto, mjekët që kanë nënshkruar peticionin, janë shprehur se kjo ka krijuar një gjendje të papranueshme për ta, përfshirë këtu edhe kërcënimet që po ndërmerr së fundi drejtori Sinojmeri për largim nga puna të mjekëve dhe infermierëve që e kanë kritikuar atë haptazi për këto anomali mjaft serioze. Mjekët që kanë nënshkruar peticionin, në fund kërkojnë përmes ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili, ndryshimin e drejtorit Genci Sinojmeri, pasi ai është pengesë themelore për funksionimin normal të aktivitetit që ata kanë. Në mungesë të një reagimi nga ana e institucioneve që u është drejtuar peticioni, mjekët kanë kërcënuar me largim nga puna. Sipas kirurgut të mirënjohur gjirokastrit Roland Karalli, gjendja në spitalin e Sarandës është katastrofale dhe e papranueshme. Ai apelon për zgjidhjen e gjendjes pasi ky spital nuk mund të drejtohet nga një person i paaftë dhe pa asnjë lloj lidhje me qytetarinë. Nënshkrues të peticionit, janë personalitete të mjekësisë gjirokastrite si anestezisti Kosta Hido, kirurgët Roland Karalli dhe Anila Manga, mjeku dermatolog Arqile Zhapa etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›