Tiranë, sistemi i alarmit ndalon grabitësit e eurollotos
TIRANE – Dy persona me armë kanë tentuar grabitjen e një llotosporti në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë, por sistemi i alarmit ka parandaluar ngjarjen, duke sinjalizuar forcat e policisë. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të djeshëm, në lokalin e basteve sportive Eko Bet, në rrugën Reshit Petrela. Në momentin kur dy autorët janë futur në ambientet e lokalit për të grabitur, është aktivizuar menjëherë sistemi i alarmit dhe një patrullë policie e Komisariatit Nr.3 është shfaqur në vendin e ngjarjes. Por, për njërin prej autorëve aq sa i është dashur policisë për të mbërritur në vendngjarje, ka mjaftuar koha që të largohej. Ndërsa autori tjetër, shqiptari nga Kosova, Mariglen Krasniqi, 23 vjeç, është arrestuar vetëm disa metra më larg. Policia tha dje se ka bërë të mundur edhe identifikimin e autorit të dytë në tentativën e grabitjes, i cili është 22-vjeçari nga Fieri, Endrit Brahimi, që tashmë është shpallur në kërkim policor. Burimet sqaruan se në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet tip Renault, me targë FR 1514 C, në pronësi të personin që u shpall në kërkim, si dhe brenda makinës është sekuestruar edhe një pistoletë TT, të cilën autorët e kanë përdorur për grabitjen.