21 janari, demonstruesit mbrojnë deputetët
Organizimi i protestës, përfundon pyetja e protestuesve. Gati fletëthirrjet për ligjvënësit
Hetimet për organizimin e demonstratës së 21 janarit vijojnë të jenë në fokusin e Prokurorisë së Përgjithshme, ku gjatë ditëve të fundit ka përfunduar marrja në pyetje e protestuesve. Burime nga akuza qendrore pohuan se të paktën 20-30 persona janë marrë në pyetje, ku kanë pohuar se kanë qenë pjesë e demonstratës, por nuk kanë pranuar të kenë marrë urdhra për të qëlluar ndaj forcave të rendit dhe të Gardës së Republikës. Ka përfunduar marrja në pyetje e demonstruesve të 21 janarit. Shumica e deklaruesve ka pohuar se nuk kanë marrë asnjë urdhër. Po verifikojmë deklaratat e tyre të mëparshme dhe do ti krahasojmë me dëshmitë e reja. Konkluzioni për këto dëshmi do të merret në një fazë të mëvonshme, thanë burimet nga akuza qendrore.
Akuza pohon se, krahas dëshmive të protestuesve dhe tabulateve telefonike, nuk ka asnjë provë që të implikojë deputetët në organizimin e protestës. Hetimet për këtë procedim u bënë në mënyrë të veçuar nga hetimet për vrasjet dhe fshirjen e serverit të Kryeministrisë. Çështja po hetohet në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi të hetuarit kanë imunitet, thanë burimet nga akuza qendrore, duke saktësuar se hetimet janë vonuar, për shkak të mosbashkëpunimit të institucioneve të tjera, që kanë detyra kushtetuese për të bashkërenduar veprimet në një procedim penal. Megjithatë, nga momenti i caktimit të dy hetuesve të Prokurorisë së Tiranës, çështja ka nisur të hetohet dhe fillimisht janë identifikuar demonstruesit që kanë mbajtur kontakte me deputetët. Këtyre personave u është dërguar fletëthirrje dhe shumica e tyre kanë dhënë shpjegime në prokurori, pohojnë burimet nga akuza qendrore. Një nga provat e këtij procedimi penal janë edhe relacionet e Policisë së Tiranës për organizimin e demonstratës, si dhe dëshmitë e mbi 100 demonstruesve që kanë pohuar se nuk kemi marrë asnjë urdhër për të qëlluar drejt Kryeministrisë.
Akuza
Këshilli emëron disa prokurorë të rinj
Këshilli i Prokurorisë ka kaluar dje për shqyrtim kandidaturat për disa prokurorë të rinj, të cilët vijnë nga radhët e oficerëve të policisë gjyqësore. Burime nga mbledhja pohuan se disa hetues të çështjes 21 janari janë rekomanduar për tu bërë prokurorë në disa rrethe, ndërsa në listë janë edhe emra juristësh që punojnë në Presidencë. Mësohet se edhe fëmijët e disa gjyqtarëve apo prokurorëve janë rekomanduar për tu bërë prokurorë. Lista me emrat përkatës i është përcjellë Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, e cila do ti kërkojë zyrtarisht Presidentit të Republikës emërimin e prokurorëve të rinj. Janë të paktën 10 vende vakante për tu plotësuar.
21 janari, demonstruesit mbrojnë deputetët burimi: Gazeta Shqip