Aksidenti në Himarë, tre studente ende në gjendje të rëndë

Vijojnë të mbetet e rëndë gjendja shëndetësore e tre studenteve të cilat u plagosën dy ditë më parë në aksidentin tragjik në Himarë.
Eriselda Gubere, 21 vjeç nga Lushnja dhe Florije Peci, 21 vjeç nga Elbasani janë dy vajzat të cilat janë në gjendje të rëndë shëndetësore ndrsa gjendja e Kaltra Pollozhanit është më e stabilizuar.
Ndërkohë sot pritet të vendoset për transportimin e dy vajzave të cilat janë më rëndë, jashtë vendit për një mjekim më të specializuar.
Drejtori i Politraumës në spitalin Ushtarak, Sami Koceku deklaroi dje Eriselda Gubere vuan nga një politraumë e mirëfilltë, ka dëmtuar rëndë shpretkën si dhe ka një veshkë unike, ndërsa Florije Peci, krahas politraumës ka edhe një frakturë të shtyllës kurrizore, e cila sipas mjekut i është fiksuar nëpërmjet një operacioni.
Ndërkohë policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Kreu i policisë rrugore Vullnet Topalli deklaroi dje se rruga ku ishte aksidentuar autobuzi ishte e thatë dhe me sinjalistën e nevojshme. Sipas tij nga ana e grupit hetimor vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident, si dhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e saj.
Ndërkohë, ditën e djeshme mes lotësh dhe dhimbjesh u përcollën në banesën e fundit 13 viktimat e tragjedisë së Himarës. Krerët më të lartë të shtetit zhvilluan dje homazhe në Universitetin “Aleksandër Xhuvani në nderim të studenteve që humbën jetën tragjikisht në aksident.