21 janari, dëshmitarët tregojnë si u vra Hekuran Deda

Protesta e "21 janarit"
Seanca e djeshme gjyqësore në ngarkim të të pandehurve të akuzuar për vrasjet e demonstruesve të 21 janarit 2011, vazhdoi me deklarimet e dëshmitarëve të akuzës, Sokrat Gode, Hynsi Peposhi dhe gazetarit Flamur Vezaj. Të tre këta dëshmitarë, ishin thirrur nga togat e zeza, për të rrëfyer çfarë kishin parë ditën e demonstratës së 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër demonstrues dhe gjashtë të tjerë u plagosen.
I pari që doli para togave të zeza, ishte gazetari Flamur Vezaj, që dëshmoi në lidhje me videon që gazeta Shekulli kishte publikuar mbrëmjen e 21 janarit 2011, ku duket qartë vrasja e gjirokastritit Ziver Veizi. Pas dëshmisë së tij, Gjykata dëgjoi rrëfimin e Sokrat Godes, i plagosur gjatë demonstratës, i cili tregoi vendin ku ndodhej në momentin që plumbat e kishin qëlluar në shpatull. Sipas tij, plumbat që i shkaktuan plagën në krahë, erdhën nga oborri i kryeministrisë, por nuk kishte arritur të shoh personin që e kishte qëlluar. Më pas, Gjykata administroi deklarimet e Hysni Peposhit i njohur edhe si shoku i viktimës Hekuran Deda. Peposhi, gjatë deklarimeve i tregoi Gjykatës, se po filmonte me celular kur kishte konstatuar se plumbat që vinin nga oborri i kryeministrisë ishin luftarakë, pasi poçet e pishave këputeshin.
Kur pash një person që u rrëzua, jam kthyer për ti thënë Hekuranit më ndiz një cigare se po filmoi me celular dhe në atë moment kam parë Hekuranin të mbuluar në gjak, pasi ishte qëlluar në kokë, tha Peposhi para togave të zeza. Dëshmitarët, gjithashtu, iu përgjigjen edhe pyetjeve të avokatëve mbrojtës dhe vetë të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo e Margarit Kume. Të tre këta të fundit, akuzohen për vrasjen e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Faik Myrtajt e plagosjes së tre dëshmitarëve. /F.V/