Edhe Princi nuk paguan këstet në bankë

Princ Leka
Leka Zogu II kundërshton në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, urdhrin e përmbarimit për lirimin e objektit, për shkak të mos pagimit të kredisë, me një vlerë prej rreth 600 mijë euro. Paraditen e djeshme, kërkesë padia e përfaqësuesit ligjor të pretendentit për fronin mbretëror është hedhur në short, ku është caktuar gjyqtari Bledar Abdullai për gjykimin e çështjes. Sipas padisë, Leka Zogu II kërkon kundërshtimin e veprimeve përmbarimore të përshkruara në aktin e lajmërimit për ekzekutimin vullnetar të vendimit të Gjykatës si dhe pezullimin e ekzekutimit të këtij urdhri.
Një nga bankat e nivelit të dytë në vend, ka lëshuar urdhrin e ekzekutimit të kontratës mes kredimarrësit Leka Zogu II dhe përfaqësuesit të bankës. Leka Zogu II nuk ka shlyer 25 këstet mujore të kredisë, që kapin vlerën e 600 mijë eurove. Përmbaruesi privat, me të marrë urdhrin e ekzekutimit i është drejtuar pretendentit për fronin mbretëror të lirojë objektin.
Kjo e ka detyruar Leka Zogun II ti drejtohet Gjykatës duke kërkuar pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi. Sipas vendimit, që prej lëvrimit të parave, kredimarrësi nuk i ka paguar këstet në bankë sipas kontratës.
F.Vezaj