Pezullohen 5 policë, iu dhanë dajak klientëve në lokal
Me kërkesë të prokurorisë, togat e zeza, pezulluan nga detyra pesë punonjës të Komisariatit nr.2 të Policisë, për ushtrim dhune, pasi kanë rrahur dhe goditur me shkopinj metalikë gjashtë persona mesnatën e 18 shkurtit 2012. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku tashmë masa e sigurisë pezullim nga detyra është marrë. Ishte prokurori i çështjes Ervin Karanxha, i cili i kërkoi togave të zeza, pezullimin nga detyra të shtetasve Ferit Saliasi me detyrë komandant toge dhe efektivëve Adriatik Bregu, Algert Terpo, Nuredin Kasmi dhe Artur Çela. Mbi pesë punonjësit e policisë, prokuroria ka ngritur dyshimet se kanë konsumuar elementë të veprës penale të kryerjes së veprimeve arbitrare në bashkëpunim, duke i shkaktuar dëmtime fizike shtetasve Mark Frroku, Grand Frroku, Ilir Lasku, Lek Toma, Jak Jaku dhe Besnik Toma, ku disa prej tyre kanë përfunduar në Spital Ushtarak për mjekim.
Hetimi
Sipas prokurorisë, të pesë punonjësit e policisë, gjatë deklarimeve të dhëna në prokurori, në fazën hetimore, kanë pretenduar se ishin goditur dhe kundërshtuar nga gjashtë të plagosurit duke pësuar edhe dëmtime në trup. Por, nga ekzaminimet e kryera nga ekspertë të Mjekësisë Ligjore, rezulton se punonjësit e policisë që i janë nënshtruar ekzaminimit kanë dëmtime vetëm tek duart dhe grushtet. Dhuna e ushtruar nga punonjësit e policisë provohet nga aktet e ekspertimit të vetë policëve, çka tregon se në rastin konkret dëmtimet në pjesën e duarve të punonjësve të policisë kanë ardhur si pasojë e goditjes së shtetasve Mark Frroku, Grand Frroku, Ilir Lasku, Lek Toma, Jak Jaku dhe Besnik Toma. Pasi një shtetas, nuk mund të kundërshtojë me pjesën e prapme të kokës ose me shpinë, pasi, të dëmtuarit janë dëmtuar në të gjithë trupin, si plagë shqyese në kokë, dëmtime në fytyrë, inde të ndryshme në trup, gjoks e shpatulla, – thuhet në dosjen e prokurorisë, që Shekulli disponon një kopje.
Ngjarja
Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 18 shkurt 2012 në Tiranë. Patrulla e policisë e përbërë nga dy efektivët e dyshuar Artur Çela dhe Adriatik Bregu, kanë shkuar në hyrje të lokalit Makuba në zonën e Tiranës së re, dhe kanë kërkuar të hyjnë lokal me pretendimin se ishin njoftuar nga salla operative për prishje të qetësisë publike. Në hyrje të lokalit shtetasit Grand e Mark Froku, i kanë siguruar dy policët se nuk kishte ndodhur asgjë. Por, dy policët kanë këmbëngulur të hynin brenda në lokal. Pronarët e lokalit, kanë kërkuar nga punonjësit e policisë mandat kontrollin, pasi nuk mund të hynin për kontroll pa një urdhër Gjykate. Këtu ka nisu debati, ku dy efektivët kanë kërkuar përforcime në radio. Aty janë afruar edhe të dyshuarit Ferit Saliasi, Algert Terpo e Nuredin Kasmi, të cilët së bashku me Bregun dhe Çelën kanë filluar të ushtrojnë dhunë ndaj dy kushërinjve Marku. Më pas, janë rrahur dhe goditur edhe shtetasit e tjerë Ilir Lasku, Lek Toma, Jak Jaku dhe Besnik Toma, të cilët janë shoqëruar në Komisariatin nr.2 ku edhe janë dhunuar përsëri duke përfunduar në Spitalin Ushtarak disa prej tyre. Në Spital ata janë vizituar nga Avokati i Popullit z.Igli Totozani i cili edhe ka bërë kallëzimin penal ndaj efektivëve të policisë.
