E Diel, 1 Nëntor 2026

21 janari, pesë muaj nga ngjarja, vrasjet pa autorë

20/06/2011  Vështirësia për kryerjen e eksperimentit dhe mundësia për shtyrjen e hetimeve

TIRANE-Pesë muaj nga ngjarja e 21 janarit, hetimet e Prokurorisë ende s’kanë mundur të hedhin dritë mbi vrasjet që ndodhen në trazirat e dhunshme të bulevardit. Shumë veprime hetimore janë kryer, ku pjesa më e madhe është shoqëruar nën mbikëqyrjen e ekspertëve amerikanë, por që në fakt deri tani për shumë pak gardistë të dyshuar janë gjendur prova që lidhen me vrasjet. Të ndodhur në këto kushte, si dhe kur kanë kaluar pesë muaj dhe po afron afati gjashtë mujor i hetimit, Prokuroria e Tiranës ka shumë mundësi që të rikërkojë sërish shtyrjen e afateve me tre muaj të tjerë. Kjo për shkak se momentalisht shumë veprime hetimore ende nuk janë kryer, duke filluar nga kryerja e eksperimentit, mungesa e administrimit në dosje i të gjitha akt-ekspertizave të automatikëve ‘MP-5’ dhe pistoletave ‘Bereta’, si dhe një sërë veprimesh të tjera. Aktualisht specialistët e Prokurorisë së Tiranës synojnë që gjatë këtij muaji të mbetur dhe tre muajve të tjerë që mund t’i shtyjnë me vendim gjykate, të realizojë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e ngjarjes, pasi ende janë të paqarta rrethanat në të cilat janë vrarë shtetasit Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. E vetmja vrasje e 21 janarit e zbardhur me ekspertizë, është ajo e Ziver Veizit ku me analiza kriminalistike të predhës së gjetur në trupin e viktimës, ka rezultuar se arma që ka vrarë këtë qytetar ka qenë e oficerit të Gardës Agim Llupo. Pavarësisht kësaj disa prova të tjera për këtë rast ngrenë një alibi tjetër, e cila është duke u analizuar nga hetuesit. Ndërsa për tre të vrarët e tjerë, ende nuk është arritur të zbardhet asnjë detaj, pasi Hekuran Deda ka marrë plagë tejshpuese dhe nuk ka predhë për krahasim. Plumbi që ka vrarë Faik Myrtajn nuk përputhet 100 për qind, por deri në një masë 50 për qind me armët e ekspertuara të Gardës, ndërsa predha e Aleks Nikës ka ardhur nga Turqia, ku ai vdiq dy javë pas 21 janarit, ka rezultuar me deformime të mëdha. Një gjë e tillë e bën të pamundur krahasimin e saj me elemente të tjerë të armëve të Gardës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›