E Diel, 1 Nëntor 2026

I tmerrshmi i Vlorës, Zaharia, kërkon daljen nga qelia

20/06/2011  Preket nga një sëmundje, dorëzon në gjykatë kërkesën për nxjerrjen nga burgu

Mjekët, qëndrimi në qeli i të dënuarit mund t’i rrezikojë jetën

TIRANE- Fotaq Zaharia, njeriu mbi të cilin rëndojnë dy dënime të rënda për akuzën e pengmarrjes dhe vrasjes së një oficeri policie në Vlorë, kërkon të lirohet nga qelia për shkak se gjendja shëndetësore e tij është rënduar ndjeshëm. I cilësuari si i tmerrshme i Vlorës ka dorëzuar një padi në gjykatën e Tiranës nëpërmjet të cilës ai kërkon lirimin nga burgu pasi sipas tij çdo ditë qëndrimi në të i rrezikon seriozisht shëndetin e tij. Padia mban nr. 1096 dhe ka si objekt lirimin e të burgosurit nga ambientet e burgut 313. Momentalisht kjo padi është regjistruar në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit dhe pritet që shumë shpejt të nisë shqyrtimi i saj. Si gjyqtar është përzgjedhur gjyqtari Gerd Hoxha, i cili shumë shpejt do të dëgjojë të gjitha pretendimet që ngreh i dënuari Fotaq Zahari. Ky i fundit pretendon se gjatë qëndrimit të tij në qeli është prekur nga një sëmundje, për të cilën doktorët e kanë këshilluar që të mos qëndrojë në burg. Nisur nga kjo situatë, por duke marrë shkas dhe shëndeti jo i mirë Fotaq Zaharia i është drejtuar trupit gjykues me një kërkesë në të cilën ka administruar dhe disa raporte mjekësore dhe diagnoza të përcaktuara nga mjekët e burgut. Pak kohë më parë Fotaq Zahari mori dënimin e dytë me 23 vjet heqje lirie për akuzën e pengmarrjes së një shtetaseje të huaj dhe grabitjen me armë të saj. Fillimisht ai është dënuar për vrasjen e një oficeri të policisë së Vlorës, por më pas këtij dënimi ju shtua edhe ai me 23 vjet heqje lirie. Kjo masë dënimi i është dhënë nga Gjykata e Apelit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e nxori të pafajshëm për akuzën e pengmarrjes dhe grabitjes. Sipas akuzës për realizimin grabitjes më 19 nëntor 2001, në orët e para pas mesnate, i dënuari Fotaq së bashku me të dënuarin Ermir, të maskuar dhe të armatosur janë futur brenda banesës së të dëmtuarit Sokol nëpërmjet shkallëve të katit të dytë dhe duke iu drejtuar armët që kishin në duar të dëmtuarit Sokol dhe gruas së tij Marjana kanë kontrolluar të gjithë shtëpinë për lekë. Pasi nuk kanë gjetur sasinë e pretenduar kanë marrë peng shtetasen Marjana dhe e kanë hipur në automjetin tip Foristradë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›