21 janari, pushohet akuza për demonstruesin e Ballës
Nga ngjarjet e 21 janarit
Taulant Balla akuzohet se e nxiti për dhunë, pushohet hetimi.
Prokuroria: SMS s’mbërriti në telefonin e deputetit.
Mesazhi që pretendohet se i është dërguar Taulant Ballës nga një protestues i 21 janarit, ku shkruhej “çfarë të bëjmë tani, pse u tërhoq shumica?”, nuk ka mbërritur në telefonin celular të deputetit socialist. Sipas burimeve nga Prokuroria, në aparatin e telefonit celular të shtetasit Igers Vangjeli, i ardhur nga Librazhdi për demonstratën e 21 janarit, është gjetur vërtet një mesazh i tillë, por vetëm kaq. SMS-ja në fjalë ishte shkruar nga protestuesi dhe ishte tentuar të dërgohej në numrin e deputetit Taulant Balla, por dërgimi nuk ka qenë i mundur. “Sending error” është shkruar në statusin e këtij mesazhi në telefonin e shtetasit Igers Vangjeli, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, mesazhi ka mbetur në telefonin e qytetarit nga Librazhdi, pasi në zonën ku ai ndodhej në momentin e dhënies së komandës “send”, nuk ka pasur valë celulari. Shkak ka qenë vendosja e disa automjeteve të Gardës së Republikës, me bërthama elektronike zhurmuese rrotull Kryeministrisë, të cilat kanë hequr mundësinë e komunikimit me celular në një rreze të caktuar nga godina e qeverisë. Sipas deklaratës së Prokurorisë së Përgjithshme në janar të këtij viti, dyshohej se protestuesi që ka dërguar mesazhin dhe persona të tjerë, “mund të kishin marrë instruksione apo nxitje për veprime të dhunshme nga deputetët e PS”.
Pushohet akuza
Personi që i ka dërguar SMS deputetit socialist Taulant Balla, shtetasi Igers Vangjeli, ka qenë mes të shoqëruarve në polici pas demonstratës së 21 janarit. Ai është ndaluar nga policia atë natë me akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit dhe shkatërrimit të pronës me zjarr, duke iu referuar djegies së automjeteve te Piramida dhe goditjeve me gurë drejt objektit të Kryeministrisë. Pikërisht gjatë këqyrjes së telefonit në polici pas shoqërimit më 21 janar, është gjetur edhe mesazhi që ishte regjistruar si i adresuar te deputeti i PS-së, Taulant Balla. Policia e ka çuar për ndjekje penale personin nga Librazhdi, por Prokuroria pohon se ka vendosur pushimin e akuzës ndaj tij për shkatërrim prone dhe kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë. Sipas organit të akuzës, nga kryerja e veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Igers Vangjeli nuk kishte kryer veprime të dhunshme ndaj forcave të rendit dhe po ashtu nuk kishte shkaktuar ndonjë dëm ndaj pasurisë publike apo private. Për kundërshtim të policisë dhe shkatërrim prone në rastin e 21 janarit, sipas Prokurorisë, janë dërguar në gjyq mbi 20 persona, nga të cilët 15 janë dënuar.
Arrestimi
Në kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të Taulant Ballës thuhet se në mbrëmjen e protestës së 21 janarit, Igers Vangjeli është arrestuar në flagrancë me akuzën se ka dëmtuar me gurë godinën e Kryeministrisë. Në procesverbalin e mbajtur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Ferhat Spahiu, në datën 21.01.2011, ora 23:43, thuhet se “më datë 21.01.2011, shtetasi Igers Vangjeli ka qenë pjesëmarrës në demonstratën e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Gjatë pjesëmarrjes në demonstratë, ky person, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka goditur e dëmtuar me gurë godinën e Kryeministrisë, ka djegur dhe ka dëmtuar makinat, të cilat ndodheshin pranë kësaj Kryeministrie, ka kundërshtuar dhe ka goditur punonjësit e Policisë, të cilët e kishin në ruajtje godinën e Kryeministrisë, ka goditur punonjës të administratës shtetërore të kësaj Kryeministrie, ka kanosur dhe fyer rëndë punonjës të Policisë dhe administratës së shtetit”.
Hetimi për tre deputetët
Prokuroria e Përgjithshme ka marrë autorizim nga Parlamenti i Shqipërisë për të hetuar tre deputetët e PS-së, Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Baraj për nxitje të veprimeve të dhunshme më 21 janar. Autorizimi është dhënë më se dy muaj më parë, ndërsa ende deputetët nuk janë thirrur në Prokurori apo ndaj tyre nuk është kryer ndonjë veprim hetimor. Aktualisht Prokuroria pritet të marrë dëshmi nga personat që dyshohet se janë nxitur nga deputetët e PS-së.
TRAZHGIM SOKOLAJ