E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mitura denoncon njerkun për përdhunim

BERAT – E denoncon 14-vjeçarja, arrestohet njerku 52 vjeç me akuzën e marrëdhënieve seksuale me dhunë. Sipas minorenes, burri me të cilin e ëma ishte martuar prej pak vitesh, në fshatin Bilçë të komunës Velabisht në Berat, e dhunonte seksualisht prej 1 viti. Denoncimin vajza, e shoqëruar nga e ëma, e ka kryer pasditen e djeshme dhe menjëherë Policia e Beratit ka bërë arrestimin e V.H-së. Sipas Policisë së Beratit, 52-vjeçari është i dyshuar për dhunën seksuale për të cilën e denoncoi e mitura, çka pritet të vërtetohet nga ekspertiza që do të kryhet. Në bazë të kallëzimit që ka kryer 14-vjeçarja, prej 1 viti njerku i saj e detyronte të kryente marrëdhënie seksuale.
Me gjithë kundërshtimet e të miturës, ai nuk është ndalur përgjatë kësaj periudhe kohe. E mitura, nxënëse në klasën e nëntë, ka treguar se nuk ka pasur guxim t’i tregonte nënës apo shoqeve të saj për çfarë ndodhte. Mësohet se i arrestuari është vetë babai i tre fëmijëve, ndërsa vajza e dhunuar ishte sjellë me vete nga gruaja e dytë. Pas arrestimit në flagrancë, pasi denoncimi është bërë nga një shtetas i mitur, pritet që të merret dëshmia e plotë e 52-vjeçarit. Një psikologe është kërkuar nga ana e Policisë së Beratit për të marrë dëshminë e të miturës. Grupi hetimor ka filluar hetimet menjëherë dhe po kryen të gjitha veprimet procedurale, madje vajza do të kalojë edhe vizitën tek mjeku ligjor. Pritet që sot të zbardhet përfundimi i hetimit për këtë rast të rëndë, ku personi i dëmtuar është vetëm 14 vjeç.                                  d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›