Kretë, masakër në familjen shqiptare, nëna vret vajzën
Qëllon me thikë 13-vjeçaren, tenton t’i japë fund jetës së saj.
Një nënë shqiptare ekzekuton fëmijën 13 vjeç e tenton të vetëvritet. Krimi makabër ndodhi mesditën e djeshme në Rethymno, qendra e ishullit grek të Kretës. Sipas mediave të shtetit fqinj, mësohet se autorja është një grua 36-vjeçare, me kombësi shqiptare, identiteti i së cilës nuk është bërë i ditur deri në orët e mbrëmjes. Viktima është e bija e saj, vetëm 13 vjeçe, e cila deklarohet se vuante nga autizmi. Duket se në kushtet e depresionit të thellë psikik si dhe prej kushteve të vështira ekonomike, nëna, e cila kishte dhe një fëmijë tjetër, i ka marrë jetës së bijës me thikën e kuzhinës. Rrethanat e kësaj masakre nuk dihen ende, pasi autorja e saj, gruaja që Policia greke deklaron se është emigrante nga Shqipëria, ka qenë e vetme me vajzën në momentin e krimit. Rreth orës 13:00 me orën greke, kryefamiljari, i cili punonte në ndërtim në ishullin e Kretës, është kthyer në shtëpinë ku jetonin me qira, duke qenë dhe dëshmitar i “flisë” që kishte bërë e shoqja. Kjo e fundit është gjetur prej bashkëshortit në gjendje të rëndë, pasi me të njëjtën thikë ka goditur veten, me qëllimin për t’i dhënë fund jetës. Burri i saj, i cili mësohet se është 33 vjeç, e ka dërguar me shpejtësi drejt spitalit bashkë me të bijën e mitur, por asnjë shpresë nuk është dhënë nga mjekët për fëmijën autik. Ndonëse në gjendje kritike, 36-vjeçarja, e cila ka qëlluar veten në qafë, vazhdon të qëndrojë në jetë. Nga ana e Policisë greke po punohet për të sqaruar se çfarë ndodhi në shtëpinë ku jetonte çifti shqiptar bashkë me dy fëmijët e tyre. Dëshmitë e burrit dhe të fqinjëve kanë treguar se gruaja kishte shqetësime të vazhdueshme psikike, kushtëzuar nga problemet ekonomike, si dhe nga shëndeti i së bijës, e cila që në lindje ishte identifikuar si fëmijë autik. Ndonëse çifti kishte një fëmijë tjetër, pa probleme si motra e madhe, ai nuk deklarohet të ketë qenë në shtëpi në momentin e masakrës. Ngjarja e rëndë ka tronditur të gjithë opinionin në Greqi dhe në Shqipëri, ku deklarohet se e ka origjinën familja, por që në fakt pritet dita e sotme për të mësuar më tepër mbi vendorigjinën e saj.
2 femije kishte çifti shqiptar që jetonte në ishullin e Kretës prej disa vitesh, ku më e madhja vuante nga autizmi. Ajo ka qenë viktima e së ëmës mesditën e djeshme, e cila tentoi t’i jepte fund dhe jetës së saj.
JANINE/ Përplaset në shkëmb autobusi me 35 shqiptarë
Katër të plagosur në spital
JANINE – Autobusi i linjës Vlorë-Athinë është përplasur në afërsi të Janinës me grumbuj shkëmborë, duke shkaktuar plagosjen e tre pasagjerëve dhe të drejtuesit të mjetit, të gjithë shqiptarë. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës së të mërkurës në zonën e njohur Kanepas në periferi të Janinës. Autobusi me 35 pasagjerë në bord udhëtonte nga Vlora në drejtim të Athinës dhe, pas një pushimi për kafe në të dalë të qytetit të Janinës, mjeti transportues mori rrugën në drejtim të kryeqytetit helen dhe pas 5 km u gjend në një pozitë të vështirë, teksa u përplas në krahun e majtë të rrugës. Mësohet se shpejtësia e autobusit ka qenë mbi normalen dhe kjo ka favorizuar devijimin e drejtimit të tij në asfaltin e rrugës nacionale, e cila ishte e lagësht si rrjedhojë e reshjeve të shiut që kishin filluar dy orë më parë. Për pasojë, autobusi përfundoi në një zonë shkëmbore anës rrugës, duke ndaluar rrugëtimin dhe shkaktuar plagosjen e tre pasagjerëve përveç shoferit, duke e çuar në katër numrin e të lënduarve. Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse, të cilat kanë arritur të shuajnë flakët e zjarrit, që për pak avancuan në drejtim të bordit të autobusit, ndërkohë që të gjithë pasagjerët, fill pas përplasjes, kanë dalë duke shmangur më të keqen. I vetmi, i cili e ka pësuar më keq, ka qenë një prej drejtuesve të autobusit, i cili ka ngelur i “gozhduar” në sedilje, si pasojë e devijimit të kabinës në pjesën anësore, pasi përplasja ndodhi në “zonën” e tij. Forcat e ndihmës së shpejtë kanë shoqëruar për në spitalin “Haxhikosta” të Janinës tre prej pasagjerëve, të cilët rezultojnë të jenë jashtë rrezikut. U desh një kohë e konsiderueshme që të nxirrej dhe shoferi i plagosur. p.n