21 janari, vetëm Prendi e Llupo nën akuzë për vrasje

Ndrea Prendi dhe Agim Llupo
S`provohet se gardistët e tjerë kanë vrarë, edhe pse qëlluan me armë
Hetimi, Prokuroria mbyll fazën e mbledhjes së provave.
Prokuroria fillon analizimin përfundimtar të provave të mbledhura gjatë hetimeve për dosjen e 21 janarit. Për shkak të përfundimit të afateve hetimore në muajin maj (data 8 e këtij muaji), organi i akuzës ka mbyllur fazën e mbledhjes së provave dhe tani është duke bërë analizimin dhe përmbledhjen e tyre. Sipas konkluzioneve të arritura deri tani nga organi i Prokurorisë, dy gardistë do të çohen në gjyq me akuzën e vrasjes. Kjo vepër penale do tu faturohet Agim Llupos dhe Ndrea Prendit, të cilët me ekspertiza kanë dalë se kanë vrarë përkatësisht Ziver Veizin dhe Faik Myrtajn. Ndonëse pa një formulim individual, gardistëve do tu faturohet edhe vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, për të cilët nuk është arritur me ekspertizë përcaktimi i armës që ka kryer vrasjen. Një grup tjetër gardistësh që ka dalë se kanë qëlluar në vendin e ngjarjes me armë zjarri, do të vihen nën akuzë për shpërdorim detyre dhe përdorim të paligjshëm të armëve të zjarrit, duke vënë në rrezik jetën e shumë shtetasve. Pas një periudhe relativisht të gjatë të mbledhjes e grumbullimit të provave materiale nga vendi i ngjarjes nga Policia Shkencore dhe nga FBI, ka nisur procesi i vlerësimit të fakteve dhe hartimit të konkluzioneve të hetimit, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, me dyshime, por pa prova konkrete, vrasja e Hekuran Dedës bie mbi gardistin Agim Llupo, por predha që i ka marrë jetën atij nuk është arritur të gjendet, pasi plaga ka qenë tejshpuese. Po kështu, plumbi që ka vrarë Aleks Nikën, sipas ekspertizës, është i dëmtuar në masë të madhe dhe krahasimi nuk përcakton dot cila ka qenë arma që e ka shkrepur atë. Sipas Prokurorisë, edhe një grup prej 5-6 gardistësh që ishin pajisur me armatim luftarak (grupi i zjarrit) rezulton se kanë qëlluar ditën e ngjarjeve të 21 janarit, dhe për pasojë ndaj tyre do të ngrihet akuza e shpërdorimit të detyrës dhe përdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit. Ndaj këtyre personave nuk është provuar fajësia e vrasjes me anë të ekzaminimit të predhave, ndonëse drejtimi i qitjes së tyre ka qenë në turmë dhe ka vënë në rrezik jetën e shumë qytetarëve, thanë dje burimet nga grupi hetimor i çështjes së 21 janarit.
Provat për Prendin e Llupon
Sipas akuzës, komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, akuzohet për veprën penale të vrasjes me dashje, pasi ka qëlluar 11 herë në drejtim të turmës, me qëllim për të vrarë personat që ndodheshin në protestë. Ai ka qëlluar me armën e tij Beretta, me kalibër 9 mm dhe më numër P52796Z, armatim i tij personal. Për gardistin tjetër, sipas ekspertizës me nr.975, datë 07.02.2011, rezulton se …predha e gjetur tek viktima Ziver Veizi është qitur nga arma automatike me numër në shul 244 dhe numër të gërvishtur në pjesën plastike 244, e përdorur nga Agim Llupo.Grupi i zjarrit
Sipas hetimeve të Prokurorisë, të shtënat me armë më 21 janar janë kryer nga një grup gardistësh, i përbërë prej kapiten Agron Aliajt, komandant grupi, toger Spartak Zilja, nënoficer, Meleq Zaimi, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Gazmend Ahmetaj. Këta efektiva kanë qenë të vendosur në pjesën ballore të Kryeministrisë dhe kanë qenë të pajisur me armë zjarri e municione luftarake.
TRAZHGIM SOKOLAJ