Banda e Durrësit, Apeli: 21 vjet burg Bujar Gashit
TIRANE Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda i dha fund dje gjykimit në ngarkim të Bujar Gashit, një prej të akuzuarve si anëtar i bandës së Durrësit. Pasi u njoh me kërkesat e palëve, gjykata e deklaroi atë fajtor dhe e dënoi me 21 vjet burg dhe 700 mijë lekë gjobë. Vendimi i pesëshes së Apelit ishte 2 vjet më i rëndë se ai i marrë nga Gashi në gjykimin e tij në Shkallën e Parë. Burime pranë Gjykatës sqaruan se në vendimin përfundimtar trupa gjykuese kishte ndryshuar kualifikimin ligjor të një prej veprave penale për të cilat akuzohej Bujar Gashi. Më 2 dhjetor 2011, një vendim i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dënoi Gashim me 19 vjet burg për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim. Shkalla e Parë e deklaroi fajtor Gashin për vrasjen e Dritan Dishës, ngjarje e shënuar në korrik të vitit 2000. Gjykimi i Gashit te Krimet e Rënda u zhvillua i veçuar nga pjesa tjetër e bandës, pasi kur nisi procesi ndaj tyre, Gashi ende nuk ishte identifikuar nga Prokuroria. Ai u arrestua në Itali dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë. Ngjarja për të cilën Bujar Gashi u deklarua dje i fajshëm me një vendim të formës së prerë është shënuar në korrik të vitit 2000. Ajo është një prej ngjarjeve të njohura si ekzekutimet e bandës. Sipas hetimeve, eliminimi fizik i Dritan Dishës ishte vendosur nga banda në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Mehmet Saliut në vitin 2000. Ky i fundit ishte i afërm i Gashit, si edhe i të pandehurit tjetër, Lulzim Berisha. Referuar hetimeve, Disha ishte bërë objektiv, pasi ai i përkiste grupit kundërshtar të bandës. Sipas Prokurorisë, roli i Gashit pas shënjestrimit të Dishës ishte mbajtja e tij nën vëzhgim, si edhe në momentin e vrasjes, lajmërimin e ekzekutorëve në pritë se Disha po afrohej.