E Diel, 1 Nëntor 2026

22 Marsi, Berisha: Me votën e lirë përmbysëm diktaturën më barbare në botë, objektivi mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në BE

22-03-2012 / Gazeta 55

Partia Demokratike festoi sot përmes një mitingu madhështor në sheshin “Nënë Tereza”, 20 vjetorin e fitores së zgjedhjeve të para pluraliste të 22 marsit 1992. Kjo datë mbart një pjesë të rëndësishme të historisë pluraliste të shqiptarëve, të cilët u ndanë përfundimisht nga regjimi skllavërues dhe vrasës. Në 22 marsi 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet parlamentare, duke marrë një fitore masive në mbarë vendit, gjë që përmbysi një herë e përgjithmonë regjimin diktatorial që i ishte trashëguar Ramiz Alisë


Duke nisur nga dita e sotme, PD lançon projektin e anëtarësimeve të reja, proces i cili do të zgjasë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013


UPDATE- Kryeministri dhe njëherazi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti nga koncerti madhështor në sheshin “Nënë Tereza”, të gjithë shqiptarët me rastin e 20 vjetorit të zgjedhjeve të para pluraliste në vend. Ai e cilësoi këtë ditë si ditën më të madhe pas Pavarësisë së vendit, ditën e shembjes së regjimit më barbar që Europa ka njohur në historinë e saj, përmes votës së lirë. Kryeministri shprehu nderimin dhe respektin më të thellë ndaj të gjithë burrave dhe grave që shembën në vitin ’90 murin e Berlinit shqiptar. “Ju ftoj ju dhe mbarë qytetarët shqiptarë të shprehin nderimin më të madh dhe të përulemi me respekt të thellë para djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, që së bashku me guximin dhe trimërinë e tyre në dhjetorin e vitit ‘90 shembën murin e Berlinit në uraganin e fuqishëm të lirisë e shpresës, që buroi nga zemra dhe shpirti i tyre dhe në 22 mars me votën e tyre të lirë shembën regjimin më barbar që Evropa kishte njohur në historinë e saj”- u shpreh kryeministri, ndërsa uroi shqiptarët: “Gëzuar ditën e lirisë suaj!”. Më tej ai shtoi se 20 vjet më parë liria dhe demokracia ishin vlera për të cilat duhej luftuar, 20 vjet më parë u përmbys me votë regjimi i bllokmenëve hoxhistë, nga ta burra dhe gra që kishin lindur në sistemin totalitar, ndërsa përgëzoi 20 vjeçarët e sotëm që nuk kanë as edhe një orë të vetme në diktaturë, që nuk kanë njohur shtypjen dhe mjerimin ekstrem, urrejtjen klasore dhe barbarinë e sistemit, që i shndërroi shqiptarët në skllevër të të shtetit më barbar. “Sot për të gjithë ne shqiptarët është dita e krenarisë, e frymëzimit dhe shpresës së madhe. Shqipëria sot është 20 vjet dritë më larg nga Shqipëria në të cilën jetuam 20 vjet më parë. Shqipëria e diktaturës së bllokmenëve hoxhistë ishte e burgjeve, ekzekutimeve pa gjyq, e dënimit kapital të lirive dhe të drejtave njerëzore, ndalimit të Zotit dhe besimeve tona fetare. Pas 20 viteve është vendi i garantimit të lirive” deklaroi Berisha. Ndërkaq kryeministri u ndal edhe në liritë dhe të drejtat që gëzojnë shqiptarët në të gjitha trojet ku ata jetojnë dhe në këtë 100 vjetor shqiptarët vijnë të lirë, të pavarur dhe krenarë. “Kosova është e lirë, të lirë janë shqiptarët kudo që jetojnë. Kombi që 100 vjet më parë kishin parashikuar ta fshinin nga faqja e dheut vjen në 100 vjetorin pavarësisë i lirë, krenar dhe i sigurt në trojet e tij”- tha kryeministri. Gjithashtu Berisha renditi disa nga rritjet e këtij 20 vjeçari, ai anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë e shqiptarëve, rritja ekonomike, e cila kryeson në Europë duke shpallur Shqipërinë të bukurën e dheut, të cilat shefi i qeverisë i bazoi në vizionin dhe dashurinë për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, ndërsa theksoi se do të shndërrojmë në realitet ëndrrën më të madhe të shqiptarëve anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›