Paro Laçi mbetet në qeli, pranon se do të flasë kur të vijë momenti
Edhe për tre të arrestuarit e tjerë, Gjykata e Durrësit ka dhënë masën “arrest me burg”, ndërsa katër të tjerë detyrim paraqitjeje
Durrës Presidenti i skuadrës së Rubikut, Paro Laçi, mbetet në qeli bashkë me tre persona të tjerë, të cilët u arrestuan pasditen e së dielës, nën akuzën e korrupsionit. Ky ka qenë vendimi i dhënë dje nga Gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, e cila ka vlerësuar një nga një, tetë masa sigurie, aq sa ishin edhe personat e ndaluar. Ka qenë gjyqtari, Shpëtim Reka, që ka marrë në shqyrtim të gjitha masat e sigurisë, ndërkohë që organi i akuzës përfaqësohej nga prokurori Afrim Shehu.
Masa
Paro Laçi ka mbërritur rreth orës 10:00 në pjesën e pasme të gjykatës, aty ku gjendet tuneli i sigurisë që dërgon të pandehurit në sallën penale në katin e tretë. Sapo ka zbritur nga furgoni i policisë, Paro Laçi ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha për arrestimin e tij, duke u shprehur se ai është bërë kokë turku. Ka qenë Paro Laçi, që është paraqitur i pari para gjykatës, por përpara se në sallë të futej gjyqtari, Shpëtim Reka, duke shfrytëzuar praninë e kamerave, ai ka bërë një deklaratë. “Unë di shumë gjëra dhe do t’i them në momentin e duhur, e di që drejtësia nuk do të vonojë. Nuk do të jem më me dy gishtat lart, siç kam qenë gjithmonë, por tani me gishtat poshtë. Ata donin që t’i dërgoja në ministri, por unë i çoj atje ku dua unë, jo ku duan ata. Ky hetim është një maskaradë, me të vërtetë një poshtërsi dhe do jetë fundi i shumë gjërave. Unë di shumë, kam shumë fakte. Kam edhe kur Sali Berisha vinte në Bruksel dhe rrinte gju më gju me fëmijët e mi, sot unë ato fëmijë i kam në Bruksel, por shumë shpejt do vete atje...”, - thotë Paro Laçi..
Më pas, me hyrjen e gjyqtarit Reka, ka nisur seanca, fillimisht me të dhënat e Paro Laçit. Të afërmit e tij, që kanë qenë në sallë, kanë ndërhyrë duke reaguar për arrestimin, por ata janë nxjerrë jashtë, bashkë me kameramanët dhe gazetarët, të cilët nuk janë lejuar të ndjekin të plotë seancat për vlerësimin e masës së sigurisë. Pas Paro Laçit, në sallë janë futur një nga një të ndaluarit e tjerë, Agron Laçi, Agron Arusha, Edmond Temali, Shkëlqim Balliu, Kozma Kule, Altin Gjura dhe Endri Dhima. Shumë nga të afërmit e të arrestuarve nuk janë lejuar të jenë të pranishëm në sallë, ndërkohë që tetë seanca rresht të zhvilluara një nga një, kanë zgjatur plot katër orë. Secili nga të ndaluarit ka pasur avokatin e vet, të cilët ishin kontaktuar nga të afërm gjatë këtyre ditëve. Në përfundim të këtyre seancave, Gjykata e rrethit gjyqësor Durrës ka lënë me masë sigurie “arrest me burg pa afat” për Paro Laçin, Agim Laçin, Agron Arushën dhe Edmond Temali, ndërsa katër të tjerët, përkatësisht Shkëlqim Balliu, Kozma Kule, Altin Gjura dhe Endri Dhima janë vlerësuar me masë sigurie “detyrim paraqitje”.
Arrestimi
Paro Laçi, aksioner i klubit të futbollit “Partizani”, i akuzuar tashmë për korrupsion dhe mashtrim, është bërë “pronar” në dy kompani, që vepronin në fushën e minierave, vetëm pak kohë para arrestimit. Biznesmeni që u kap me 40 mijë euro në makinën e tij, të marra ryshfet për një licencë minerare, sipas Prokurorisë ka pasur lidhje me biznesin në fjalë. Personi që ka paguar shumën mësohet se është shtetasi Altin Xhuma, i arrestuar me Paro Laçin ditën e diel. Prokuroria pohon se gjatë hetimeve që kanë nisur që në maj 2010, ka mbledhur informacione, sipas të cilave presidenti i ekipit të Rubikut (kategoria e II-të), ka trukuar edhe pesë ndeshje të tjera futbolli kundrejt përfitimeve financiare. Këto dyshime janë krijuar nga hetuesit, pasi telefoni i Paro Laçit dhe personave të tjerë është mbajtur në përgjim për një kohë të gjatë në funksion të hetimeve.
Aleks Kalemasi