23 deputetët rebel që kanë votuar kundër vendimeve partiake
Shaban Sulçe
Vendimet e grupeve parlamentare për të votuar “Pro” apo “Kundër” për projektligjet në Kuvend nuk kanë qenë domosdoshmërisht “urdhëra të verbër”, për të gjithë deputetët, që aderojnë në këto grupe. Në shumë raste këto vendime janë thyer nga deputetë të caktuar, të cilët kanë votuar ndryshe nga vota e grupeve parlamentare që bëjnë pjesë. Në raportin e përvitshëm “Unë votoj”, Lëvizja Mjaft ka publikuar rezultatet e rasteve të monitoruara, të projektligjeve të votuara nga grupet parlamentare dhe votat antikonformiste të deputetëve të caktuar. Më shumë se 23 deputetë kanë votuar ndryshe nga kolegët e tyre të të njëjtit grup parlamentar. Sipas raportit “Unë votoj” të Lëvizjes “MJAFT”, vetëm grupi parlamentar i Partisë Agrare dhe Partisë Social-Demokrate nuk kanë patur deputetë “antikonformistë”.
PDK
Katër deputetë të grupit parlamentar “Reformator Demokristian” rezultojnë që të mos u jenë bindur vendimeve të marra nga ky grup për të votuar për projektligje të caktuara. Konkretisht deputeti Bëhet fjalë për deputetët Pashko Ujka, Hamit Kosta, Ndue Shpani dhe Tritan Shehu.
PR
Midis 11 deputetëve të grupit parlamentar të Partisë Republikane, “antikonformisti” ka qenë deputeti Parid Teferiçi, i cili ka kundërshtuar një prej nismave ligjore, të miratuara nga ky grup parlamentar. Vota ndryshe ka patur edhe në grupin parlamentar të “Qendrës Demokrate”. Spiro Peçi tre hëre dhe Leonard Solis kanë votuar kundër vendimeve dhe votave në bllok të këtij grupi parlamentar për disa projektligje të caktuara.
LSI
Dy janë deputetët që kanë votuar kundër vendimeve të grupit parlamentar “Qendra Liberal Demokrate”. Emrat e tyre janë Qemal Minxhozi dhe Fatmir Xhindi. Në fakt vota e tyre kundër, nuk është ndonjë çudi e madhe. Kjo për vetë faktin, se deputetët në fjalë janë deputetë të Partisë Socialiste, por të dhënë “hua” për të formuar grupin parlamentar “Qendra Liberal Demokrate”. Përsa i përket grupit parlamentar të LSI-së, vota ndryshe, ka qenë ajo e ish-deputetit Zabit Brokaj.
PD
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Midis deputetëve “antikonformist” të Partisë Demokratike nuk mund të mungonin dy prej deputetëve që kanë ngritur vazhdimisht zërin kundër kryeministrit Sali Berisha. Bëhet fjalë për deputetët Besnik Mustafaj dhe Spartak Ngjela, të cilët kanë votuar ndryshe nga grupi parlamentar i PD-së, respektivisht për 1 dhe 3 projektligje. I treti në listën e deputetëve “antikonformist” të PD-së është deputeti Preç Zogaj.
PS
Dhjetë deputetë të Partisë Socialiste kanë votuar ndryshe nga vota e grupit të tyre parlamentar. Sipas raportit “Unë votoj”, emrat e këtyre deputetëve janë: Albert Çaçi, Ylli Bufi, Arta Dade, Gramoz Ruçi, Ben Blushi, Bashkim Fino, Shpëtim Idrizi, Blendi Klosi, Elmaz Sherifi dhe Musa Ulqini. Deputeti Albert Çaçi rezulton si deputeti më “antikonformist” i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ai ka votuar për 8 projektligje, ndryshe nga kolegët e tij parlamentar të Partisë Socialiste. Përsa i përket votës kundër të deputetit Gramoz Ruçi, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ajo ka ndodhur në rastin e votimit të projektligjit “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”.
Precedenti
I vetmi rast në të cilin ka patur raste ndëshkuese në ekstrem, për votën ndryshe nga vota në bllok e grupeve parlamentare, ka ndodhur një vit më parë, për votimin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. 6 deputetë të Partisë Socialiste, përkatësisht Hamit Kosta, Taulant Dedja, Durim Hushi, Durim Lamaj, Paulin Sterkaj dhe Bukurosh Stafa, thyen vendimin e marrë nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, dhe morën pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ky veprim i tyre, solli dorëheqjen e ish-kryetarit të grupit parlamentar të PS-së Ben Blushi, dhe më pas vendimin e kryesisë së PS-së dhe kryetarit të saj, Edi Rama për ti përjashtuar nga rradhët e Partisë Socialiste.
Deputetët “antikonformistë”
Pashko Ujka Fatmir Xhindi Gramoz Ruçi
Hamit Kosta Qemal Minxhozi Ben Blushi
Ndue Shpani Besnik Mustafaj Bashkim Fino
Tritan Shehu Preç Zogaj Shpëtim Idrizi
Parid Teferiçi Spartak Ngjela Blendi Klosi
Zabit Brokaj Albert Çaçi Elmaz Sherifi
Spiro Peçi Ylli Bufi Musa Ulqini
Leonard Solis Arta Dade
16 Korrik 2008