Veliaj: “Shqipëria nuk meriton kryeministrin ‘më të vjetër’ në Europë”
Grupimi 99 përmbylli turin e parë të prezantimeve në disa nga qendrat urbane të vendit me një takim në qytetin e Kuçovës. Përfaqësuesi i G 99, Erion Veliaj duke adresuar situatën aktuale në vend tha se është e turpshme që maxhoranca bën propagandë për rritje ekonomike ndërkohë që të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare po ndjejnë përherë e më shumë barrën e shqetësimeve të varfërisë. Rritja ekonomike sipas Veliaj duket se ka prekur vetëm familjen e Kryeministrit. “Pasurite e deputetëve kanë pësuar rritje fantastike ndërkohë që minatorët, pensionistët, studentët dhe shumë shtresa të tjera ankohen se nuk ja dalin dot. Rritja ekonomike që reklamon kryeministri i përket vetëm familjes së tij ”-, tha Veliaj. Ai theksoi se Shqipërisë i duhen drejtues me mendësi dhe vizion të ri për të garantuar një të ardhme përtej tranzicionit për gjithë atë grupim të rinjsh që formon potencialin më të mirë të së ardhmes. “Mosha mesatare në Shqipëri është 27 vjeç. Atëherë si është e mundur që kombi më i ri në Europë udhëhiqet nga kryeministri më i vjetër në moshë dhe në mendësi?”- u shpreh Veliaj. G 99 sipas Veliaj është e vendosur për ti dhënë një mundësi reale ndryshimit duke filluar nga momenti vendimtar i zgjedhjeve të vitit 2009.
16 Korrik 2008