24 minuta nga Tirana në 100 kryeqytete të botës
Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi” në bashkëpunim me City One Minutes Foundation, nga stacioni televiziv i dokumentarëve Doc/VPRO, (Holandë) kanë shfaqur paraditen e djeshme në Tiranë projeksionin e 24 filmave një minutësh, të realizuar nga studentët e “Marubi”-t, në bashkëpunim me dy artistë izraelitë; Efi Ueis dhe Amir Borenstein, të cilët janë edhe fitues të disa cmimeve ndërkombëtare. “Qyteti në një minutë” është një projekt i veçantë që realizohet për herë të parë në Shqipëri. Bëhet fjalë për 24 orë të një kryeqyteti, të cilat përmblidhen në një film me metrazh të shkurtër prej 24 minutash. Falë bashkëpunimit të artistëve izraelitë me Akademinë e Filmit “Marubi”, organizatorët bëjnë të ditur se Tirana do të jetë pikërisht një nga këto kryeqytete të botës, të cilat janë pjesë e këtij projekti. Në Kinë do të çelet ekspozita shëtitëse me 24 orë filmime nga 100 kryeqytete të botës. Udhëtimi do të nisë nga Shangai dhe do të vijojë në të gjitha vendet e tjera ku janë kryer xhirimet. Në këtë mënyrë, Tirana do të paraqitet si një portret kompleks, unikal, intim dhe personal, i parë me sytë e studentëve të Akademisë “Marubi” në këtë eveniment kulturor ndërkombëtar të filmit dokumentar-eksperimental. Gjithashtu, bëhet e ditur se ekspozita mund të shihet edhe në uebsajtin (cityoneminutes.org).
14 Prill 2009