E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vito Klemente: “Të drejtosh orkestrën duhet disiplinë”



Kohët e fundit në skenën e operas shqiptare ka ardhur momenti për operan “Andrea Chenier”. Dirigjent i kësaj premiere ishte italiani Vito Klemente, me të cilin kemi bërë një intervistë për të kuptuar më shumë rreth jetës së tij, përgatitjes profesionale, mentalitetit të një artisti të shkolluar në Itali etj. Mes të tjerash, Klemente është edhe fitues i Konkursit Ndërkombëtar “Franco Capuana”, për dirigjentë orkestre të Europës, zhvilluar në vitin 2002. Vito Klemente u diplomua me rezultate të shkëlqyera për dirigjim orkestre, pianoforte, intrumenta për bandë, muzikë vokale dhome, dirigjim kori dhe muzikë korale, si dhe për kompozim.
Dirigjentët gjithmonë janë në studim dhe ristudim si përpara një provimi. Si lind dhe zhvillohet puna e dirigjentit me një vepër?
Përpara se të “hap” partiturën studioj gjithçka që bëhet fjalë rreth operas, nga ana historike, letrare dhe estetike. Pastaj studioj libretin. Nuk arrij të mendoj për një opera shkëputur nga aspekti dramaturgjik. Mendoj se fjala është çelësi i parë i leximit. Edhe pikërisht mbi fjalën punoj; mbi domethënien e qartë apo nëntekstin, e natyrisht mbi ngjyrën, e cila mund t’i sugjerojë shumë interpretimit. Pastaj kaloj te muzika, me një vëmendje të veçantë tek komponenti harmonik, timbrik dhe gjeometrik.
Si ndodh përshtatja e orkestrës me dirigjentët?
Mendoj që dirigjenti i orkestrës është në radhë të parë organizatori i kohës në dispozicion, zgjedhjeve interpretative dhe stilit të provave dhe raporteve me orkestrantët. Besoj, dhe këtu citoj Kantin, se gjeniu është talenti i formatuar në disiplinë. Pra disiplina (këtu buzëqesh) përbën për mua mjetin për të arritur te rezultatet më të mira të mundshme. Mund të them në mënyrë të përmbledhur që motoja ime është shfrytëzimi sa më optimal i kohës dhe i vlerave njerëzore, pa harruar kurrë se punoj me njerëz dhe jo me instrumenta. Këtu dua të shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin tim për orkestrën. Kanë qenë ditë pune shumë intensive. Bashkëpunimi që u krijua ishte shpirtëror dhe artistik. Pikërisht kjo gjë na i bën më të lehtë peshën e partiturës.
Opera “Andrea Chenier” ka të fuqishëm dhe të vështirë si rolin e tenorit, ashtu dhe atë të baritonit, aq sa thuhet që tenorit i duhet më shumë punë për t’u evidentuar nga prezenca e baritonit. Megjithatë, vepra quhet “Andrea Chenier”...
Kjo opera mund të quhet edhe “Andrea Chenier e Carlo Gerard”. Duke e vlerësuar edhe nivelin e Gerardëve historikë (mendoj para së gjithash për Cappuccilli) është e qartë vështirësia dhe rafinimi i rolit të baritonit në këtë opera.
Hera e parë që vini në Shqipëri. Cili është impresioni juaj mbi jetën, punën, mënyrën e të bërit të gjërave që në një vend si yni?
Për mua është hera e parë në Shqipëri. Një surprizë e madhe! Para së gjithash, sensi i mikëpritjes dhe xhentilesës. Mundësia që të jepet për të folur italisht me të gjithë të bën të ndihesh në shtëpi: dhe unë jam nga Jugu. Bukuria dhe shpirti i një vendi kuptohen edhe duke parë shumë, edhe duke parë pak. Dhe ky është një vend i bukur, një klimë e mrekullueshme dhe njerëz vitalë. Shpresoj të rikthehem sepse, si zakonisht, i zënë shumë me punë nuk kam shëtitur shumë dhe nuk kam parë asgjë. Megjithatë, jo si gjithmonë, jam i nderuar që kam miq në Tiranë, të cilët kurrë nuk më kanë lënë të jem i vetmuar.
Sipas jush, çfarë rëndësie kanë për teatrin premierat si “Andrea Chenier”?
“Andrea Chenier” është një opera që vihet për herë të parë në skenë dhe publiku nuk e njeh shumë. Por nëse nuk do të vihen në skenë nuk do ta njohin kurrrë dhe kështu nuk do të njohin edhe të tjera. Për artistët premierat janë shkollë e rëndësishme dhe siguri për të ardhmen. Jam i lumtur që m’u dha mundësia të jem këtu për këtë premierë. Një falënderim i veçantë për maestro Cikon, intelektual klasi, i cili më ftoi për këtë bashkëpunim, po kështu falënderoj edhe stafin e mrekullueshëm me të cilët ai punon. Urimet më të mira ua bëj edhe këngëtarëve, disa prej të cilëve mendoj se kanë mundësi shumë të mira për një karriere ndërkombëtare. Falënderimet e mia më të mira janë për regjisorin Antonio Petris (me të cilin kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj edhe më parë me veprën “Oberto, Conte di San Bonifacio” të Verdit, në Teatrin Nacional të Tokios, Alfredo Troisit, korit dhe të gjithë atyre që kanë punuar për suksesin e këtij produksioni.
P. GROSI

14 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›