SHBA-të lirojnë pengun e piratëve somalezë
Forcat e Marinës së Shteteve të Bashkuara mundën të lironin kapitenin e një anijeje tregtare amerikane të rrëmbyer javën e kaluar nga piratët somalezë. Forcat speciale vranë tre piratë që mbanin kapitenin Riçard Filips në një skaf pranë brigjeve të Somalisë. Një pirat tjetër që negocioi me oficerët amerikanë të një luftanijeje në afërsi të vendmbajtjes së kapitenit u arrestua. Departamenti i Mbrojtjes në Uashington njoftoi se vendimi i ndërhyrjes me forca u ndërmor ngaqë besohej se jeta e kapitenit Filips ishte në rrezik. Presidenti Barak Obama, që autorizoi operacionin e shpëtimit, tha se Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për ndalimin e shtimit të akteve të piraterisë në rajon. Zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kishin nevojë për bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë për t’u siguruar që piratët të përgjigjen për veprimet e tyre. Në brigjet e Somalisë aktualisht mbahen peng nga piratët mbi 40 anije me një ekuipazh prej 200 vetash.
14 Prill 2009