E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Komisioni i Sigurisë/ Opozitë-mazhorancë njëzëri: AKSHI të japë informacion për sulmin kibernetik

Deputetët e opozitës dhe të mazhorancës janë bërë sot bashkë për të thërritur në Komisionin e Sigurisë AKSHI-n, institucionet e sigurisë për të dhënë informacione lidhur me sulmin kibernetik të Iranit ndaj sistemit TIMS në vendin tonë.

Kërkesa u bë fillimisht nga deputeti Ervin Salianji i cili pasi dënoi sulmin kibernetik të Iranit në vendin tonë, deklaroi se duhet një analizë e mirëfilltë nga AKSHI, përfaqësues të qeverisë dhe institucione të sigurisë për sulmet kibernetike dhe sa e ekspozuar është Shqipëria nga këto sulme.

“Ne e dënojmë fuqimisht sulmin kibernetik nga një shtet i huaj. Duhet të biem dakord që të kemi në komision qofte kreun e shërbimit, apo AKSHI-n, apo përfaqësues nga qeveria, Ministrin e Mbrojtjes apo kryeministrin për tu informuar me një çështje që është agresion ndaj shtetit dhe nuk mundet të mos kemi asnjë informacion deri më sot. Sipas Microsoft një sulm i nisur që në maj të 2021 dhe duhet parë sa të ekspozuar dhe sa të paaftë jemi ne”, tha Salianji.

Në të njëjtën linjë ka qenë dhe deputeti Flamur Noka i cili ka sjellë në vëmendje kontratat miliona euroshe për mbrojtjen nga sulmet kibernetike. Noka thekson se është e nevojshme të thërriten në Komisionin e Sigurisë AKSHI dhe institucionet e sigurisë për të ditur se ku kanë shkuar këto para dhe përse Shqipëria është kaq e ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike.

“Ne po autorizojmë kryesinë e komisionit e cila të bëjë të parashtrojë situatën institucioneve të sigurisë, nga AKSHI duke kaluar te Ministria e Brendshme që menaxhon TIMS dhe institucionet e sigurisë t’i thërrasim një nga një. Çdokush e dënon rëndë një sulm ndaj një shteti anëtarë të NATO por, do na duhet të analizojmë problematikat pse u ndodhën të papërgatitur, si u shkaktua kjo situatë. Kemi kaluar kontrata me vlera të mëdha që garantonin mbrojtjen nga sulmet. Fakti që janë kontrata 195 miliona euro dhe përsëri sistemi është i sulmueshëm do të thotë që ka nevojë për shpjegime, ku shkuan paratë? Ndaj do na duhet një për një institucionet të përgjigjen”, tha Noka.

Kërkesa e tyre u pranua edhe nga mazhoranca. Kryetari i Komisionit Nasip Naço tha se institucionet duhet të japin informacione në komision për sulmet kibernetike dhe për të gjitha pikëpyetjet e deputetëve. “Të gjitha institucionet të japin informacion në këtë komision, plotësisht dakord”, tha Naço.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›