E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, Begaj merr pjesë në Samitin e 11-të të Procesit Brdo-Brijuni

Do të mbahet sot në Bërdo të Kranjës samiti i 11-të të liderëve të nismës së Procesit Brdo-Brijuni, ku do të diskutohet për integrimin e vendeve të Ballkanin Perëndimor në BE. Presidenti i Sllovenisë Borut Pahor me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, ka bërë me dije se në këtë samit do të marrin pjesë Presidenti i Kroacisë Zoran Milanović, Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, tre anëtarë të Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferovic; Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti Bajram Begaj, i cili merr pjesë për herë të parë në këtë takim.

“Takimi i liderëve të nismës së Procesit Brdo-Brijuni këtë herë do të jetë një mundësi për të vlerësuar situatën aktuale në rajon dhe mbi të gjitha për t’u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që të përshpejtojnë procesin e zgjerimit. Udhëheqësit do të jenë gjithashtu në gjendje të shkëmbejnë pikëpamjet për çështje të tjera aktuale në një atmosferë joformale”, njofton Pahor.

Iniciativa e Procesit Brdo-Brijuni u krijua në vitin 2010, kur kryeministri i atëhershëm i Sllovenisë, Borut Pahor dhe kryeministrja e atëhershme e Kroacisë, Jadranka Kosor, pas nënshkrimit të marrëveshjes për arbitrazhin mes dy vendeve, donin të frymëzojnë liderët e Ballkanin Perëndimor me shembull dhe t’i inkurajonin ata të zgjidhin çështjet dypalëshe dhe të bënin përparim më të shpejtë në rrugët e integrimit në BE. Ndërkohë që nga viti 2013, çdo vit janë mbajtur takime në kuadër të nismës së Procesit Brdo-Brijuni. Procesi Brdo-Brijuni përfshin Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje dhe Hercegovinën dhe Kosovën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›