E Shtunë, 31 Tetor 2026

2.5 miliardë dollarë për park energjetik në Seman

12/03/2009  Katari pritet të investojë në vendin tonë në fushën e energjetikës

Kryeministri Berisha inkurajon biznesin vendas për të investuar në Shqipëri

Qeveria e Katarit dhe kompania “Qatari Petroleum Company” do të investojnë në vendin tonë në fushën e energjisë përmes një projekti, i cili arrin shumën prej 2.5 miliardë dollarësh. Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim me ministrin e Energjisë dhe Industrisë së Katarit Abdullah bin Hamada al-Attiyah, me të cilin bisedoi hollësisht mbi bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe konkretisht mbi realizimin e projektit “LNG” në zonën e Semanit. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, mësohet se ministri i Energjisë së Katarit shprehu gjithashtu interesimin që të studiojnë edhe mënyrat e shfrytëzimit të depozitave natyrore të gazit që ekzistojnë në Shqipëri, si dhe fusha të tjera bashkëpunimi në sektorin e energjisë nëpërmjet QPC-s. Kështu, një grup ekspertësh teknikë të kompanisë do të vijnë për të diskutuar me grupet e ekspertëve vendas për të konkretizuar idetë e diskutuara. Gjatë bisedës ministri Abdullah bin Hamada al-Attiyah shprehu vlerësimet më të larta për zhvillimet në Shqipëri, duke u ndalur veçanërisht në kontributin e Kryeministrit Berisha në hartimin e politikave në përkrahje të investimeve të huaja dhe në suksesin e reformave e revolucionin fiskal, hapa të cilat kanë bërë që Shqipëria të jetë një histori suksesi për investimet e huaja për shumë kompani të mëdha. Ndërkohë në një prononcim për mediet kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se gjatë vizitës së tij në Katar ka diskutuar me krerët më të larë të këtij shteti dhe të tjerë zyrtarë të lartë mbi mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë ekonomike. “Një vend të veçantë në bisedimet tona si dhe një nga qëllimet është edhe projekti i madh i Semanit. Ky projekt prej rreth 2.5 miliardë euro është një nga projektet më gjigante të rajonit e më gjerë. Unë me ketë rast ftova qeverinë e Katarit që mbi bazën e interesit komercial të marrë pjesë në këtë projekt, sikundër u kërkova që të garantojnë sigurimin me gaz të këtij projekti të madh, në rast se nuk përfshihen direkt”, - ka deklaruar kreu i qeverisë shqiptare. Sipas tij, ky projekt zgjoi interes shumë të veçantë si tek Emiri, ashtu dhe te Kryeministri i Katarit. “Një nga qëllimet e mia kryesore këtu ishte inkurajimi i biznesit të këtij vendi për të investuar në Shqipëri. Dihet se kompani të Katarit kanë një vlerë dhe po operojnë ose do të fillojnë së shpejti ndërtimin e resorteve të mëdha turistike në brigjet e Shqipërisë”, - ka deklaruar Kryeministri Berisha. Gjatë kësaj vizite shefi i ekzekutivit është ndalur edhe në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ai bëri me dije se kryeministri Al Thani i kishte konfirmuar se i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, në të cilën parashtron qëndrimin e favorshëm të Katarit ndaj Kosovës, “kështu që çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ky shtet është një çështje kohe jo e gjatë”. Kryeministri Sali Berisha ka thënë se gjatë takimeve me krerët më të lartë të Katarit ka shpjeguar të gjithë problematikën dhe kontributin e madh që ky vend mund të japë në paqen dhe stabilitetin në rajon nëpërmjet njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›