E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, Rama thirrje për pjesëmarrje

12/03/2009  Kreu socialist ndërmerr turin e takimeve derë më derë për 15 marsin

“Të gjithë bashkë parti, shoqata, familje, sipërmarrje për një ndryshim të madh”

Takime derë më derë për të sensibilizuar opinionin publik për pjesëmarrje në manifestimin e 15 marsit është turi më i ri i kreut socialist Edi Rama. Përveç takimeve të rrjetit të vullnetarëve lidhur me këtë çështje, kryetari i PS-së ka vendosur që të jetë pjesë e një nisme të tillë. Për këtë arsye prej pak ditësh Rama ka nisur takime sensibilizimi dhe dje është ndalur në një lagje të kryeqytetit, ku ka takuar banorë të saj. Në qendër të bisedës me ta ishte pikërisht ftesa për t’u bashkuar në sheshin “Skënderbej”, në përvjetorin e parë të tragjedisë së Gërdecit.

Turi

Vullnetarët e “Bashkimit të ri për ndryshim” kanë nisur tashmë turin e lajmërimit derë më derë në Tiranë për pjesëmarrje në manifestimin e madh qytetar që do zhvillohet më 15 mars, në 1-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Gjatë ditës së djeshme bashkë me vullnetarët në rrugicat e bllokut “Ali Demi” ishte dhe kryetari i PS-së Edi Rama, i cili u ka bërë apel të gjithë qytetarëve që ka takuar për të qenë prezent në sheshin “Skënderbej” në orën 6:00 pasdite. Gjatë bisedave të shkurtra me ta Rama ka dhënë dhe arsyet pse duhet të marrin pjesë. “Kemi dalë me vullnetarët për të lajmëruar për manifestimin e ditës së diel, në orën 18:00 në sheshin ‘Skënderbej’. Është 1-vjetori i tragjedisë së madhe që ndodhi në Gërdec dhe duam të bëjmë manifestim të madh qytetar, jopartiak. Të gjithë bashkë: parti, shoqata, familje, sipërmarrje për një ndryshim të madh. Për nevojën e një bashkimi të ri qytetarësh e qytetaresh, përtej dasive të së vjetrës, përtej kufijve që na kanë vënë politikanët në gjithë këta vjet, në emër të fëmijëve tanë, sigurisë në punë, rrugë, kudo, në emër të nevojës për të përballuar një krizë të madhe dhe të gjithanshme. E për t’ia dalë, sepse duhet të garantojmë fëmijët tanë. Atdheu është borxhi që u kemi fëmijëve tanë”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij.

Qëndrimi

Gjatë takimeve të tij kreu socialist është ndeshur dhe me problemet e banorëve, si çmimet e ngritura të jetesës dhe pamundësisë për të përballuar këto çmime. Kundrejt këtyre shqetësimeve dhe problemeve të ngritura nga banorët kryetari i PS-së u shpreh se manifestimi i madh që do të zhvillohet në kryeqytet është për të gjithë ata që ndienë nevojën se ky realitet duhet të ndryshojë. “Ndaj ditën e diel duhet të jemi së bashku për të manifestuar nevojën e të gjithëve për ndryshim, në mënyrë që kostoja e jetës që rritet aforfe çdo muaj, me çmime, me fatura, me sigurinë e jetës, me mungesën e garancisë për të nesërmen, me papunësinë e varfërinë. Të gjitha këto të jenë arsye të mëdha për të qenë bashkë, jo për t’u ndarë e përçarë. Jo ca këtej e ca andej me flamuj të ndryshëm, me dasi, sherre, grindje, që i ka nxitur politika në 18 vjet”, - vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij. Po kështu në çdo ndalesë të tij kreu socialist sqaroi të gjithë bashkëbiseduesit se takimi në këtë lagje bashkë me vullnetarët konsistonte pikërisht në sensibilizimin e të gjithë banorëve të saj për të qenë të pranishëm me zërin e tyre në manifestimin e pasdites së 15 marsit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›