E Shtunë, 31 Tetor 2026

Detyrim sigurimi kundër zjarrit

12/03/2009  Administrimi i objekteve të përbashkëta

Objektet e përbashkëta në ndërtesat e banimit do të jenë të siguruara nga mbrojtja kundër zjarrit. Detyrimi është i përcaktuar në projektligjin e qeverisë “Për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit”, i cili u diskutua nga Komisioni parlamentar i Ligjeve. Ligji synon rregullimin e marrëdhënieve juridike në fushën e administrimit të objekteve të përbashkëta, të ndërtesave të banimit, truallit etj, që janë në bashkëpronësi. Drejtoresha e Politikave dhe Strehimit, në Ministrinë e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Doris Andoni, pasi prezantoi draftin iu përgjigj edhe interesit të deputetëve mbi efikasitetin e tij. “Projekti ka pasur një interes të madh nga publiku, të cilët kanë depozituar edhe ankesat për raste të ndryshme. Ai do të realizohet nga njësitë vendore, të cilat kanë marrë përsipër pa ndonjë shqetësim këtë proces. Ligji do të ketë një impakt më të madh në objektet e reja që janë në ndërtim e sipër dhe do të jetë më i vështirë për objektet ekzistuese. Për këtë arsye, roli i bashkive për banesat ekzistuese do të jetë më i madh”, - theksoi Andoni. Lidhur me mirëmbajtjen e tyre drejtoresha sqaroi se në projekt janë referuar normat dhe standardeve ekzistuese. “Zjarri është një nga fenomenet që mund të shkaktojë dëme dhe për këtë fakt është futur sigurimi i detyrueshëm për mbrojtjen kundër zjarrit. Gjithashtu janë edhe normat për higjienën apo të tjera norma që do të parashikohen në aktet nënligjore”, - përfundoi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›