E Shtunë, 31 Tetor 2026

25-vjeçari, plumba të miturit se e shau

Një 25-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia e kryeqytetit, pasi dyshohet se ka tentuar të vrasë me pistoletë një 14-vjeçar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy net më parë në Tiranë, kur Emiljan Dollapi ka qëlluar me pistoletë, duke plagosur Eugjen J., 14 vjeç. E gjithë ngjarja ka ndodhur për motive banale, pasi i mituri ka ofenduar 25-vjeçarin. Në këto kushte, Dollapi ka vendosur që të hakmerret, duke e qëlluar me pistoletë. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja është regjistruar rreth orës 21:30 në rrugën "Don Bosko". Burimet policore shpjeguan se pas një sherri të momentit, ai ka qëlluar disa herë me pistoletë ndaj 14-vjeçarit të lartpërmendur. I mituri ka tentuar të largohet, por ka marrë një plagë në krah. Më pas, i dëmtuari është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa policia, e njoftuar nga dëshmitarët, ka dërguar në vendin e ngjarjes shërbimet e Komisariatit Nr, 3, të cilat kanë kryer veprimet e para hetimore. Më pas, çështja i ka kaluar për veprime të mëtejshme seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit. Oficeri i policisë gjyqësore ka marrë në pyetje të miturin, i cili ka rrëfyer gjithë ngjarjen. Nga ana tjetër, policia dyshon se ngjarja mund të ketë ardhur edhe nga pakujdesia, pasi autori dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit. Uniformat blu kanë ushtruar kontroll në banesën e autorit të dyshuar dhe pasi nuk e kanë gjetur, e kanë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›