E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset i riu, dyshohet se ra pre e një grabitësi

Një tjetër plagosje ka ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet, por këtë radhë dyshohet se autori i ngjarjes ka dashur të grabisë të dëmtuarin. Bëhet fjalë për një ngjarje mes dy të rinjsh, që ka ndodhur në Rrugën e Durrësit, pikërisht në zonën e Laprakës. Burimet policore bënë të ditur se mesditën e djeshme, është njoftuar se në Rrugën e Durrësit, është tentuar vjedhja me dhunë e Gjergji M. 20 vjeç. Autori, duke mos arritur të vjedhë paratë e 20-vjeçarit, e ka goditur atë me thikë, duke e plagosur rëndë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 3, që kanë vlerësuar ngjarjen dhe kanë dërguar të plagosurin për në spital. Më tej, grupi hetimor ka mundur të zbardhë fillimisht emrin e autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili është Dashamir M. 19 vjeç. Sipas të dhënave policore ky person ka qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë. Në këto kushte është shpallur në kërkim 19-vjeçari, i cili nuk ishte kapur deri në orët e vona të mbrëmjes. Sipas të dhënave policore, veç variantit të grabitjes me armë dyshohet edhe për një tjetër motiv. Policia deklaroi se 20-vjeçari kishte pasur një sherr me të kërkuarin para se të ndodhte plagosja. Në një pikë interneti, ata ishin zënë dhe dyshohet për shkak të një borxhi. Por dokumentimi i plotë i ngjarjes pritet të bëhet pas kapjes së autorit të dyshuar, i cili do të rrëfejë për uniformat blu variantin e tij. Gjithashtu, shërbimet e policisë po negociojnë me familjen për të bindur të kërkuarin që të vetëdorëzohet në polici.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›