E Diel, 1 Nëntor 2026

250 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë festës

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nga 31 dhjetori 2009 e deri të shtunën, sipas mjekëve kujdestar në Qendrën Emergjente, kanë kërkuar ndihmë mjekësore rreth 250 pacientë, prej të cilëve 47 kanë qenë raste nga aksidentet në trafik dhe 36 nga mjetet piroteknike.

Avdush Bajgora, mjek kujdestar në Qendrën Emergjente, ka thënë për Kosovapress se pothuajse të gjitha rastet e pranuara në këtë qendër kanë qenë jashtë rrezikut për jetë dhe kryesisht kanë ndodhur për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike, dhe aksidenteve të komunikacionit.

“Duke filluar prej datës 31 dhjetor 2009 e deri në ditën e sotme, gjithsej në Qendrën Emergjente kanë kërkuar ndihmë 250 pacientë, prej të cilëve më se 47 raste kanë qenë fatkeqësi në komunikacion, ndërsa lëndime prej mjeteve piroteknike ka pasur gjithsejtë 36 raste”, ka thënë Bajgora.

Me përjashtim të një rasti të rëndë, ku pacienti ka humbur syrin si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, rastet e tjera kanë qenë kryesisht të natyrës së lehtë dhe se në krahasim me vitin e kaluar këtë vit numri i rasteve të pranuara në emergjencë është dukshëm më i vogël.

“Rastet në përgjithësi kanë qenë, ka pas raste të rënda një rast i cili është lënduar me mjete piroteknike, ka humbur njërin sy, ka pasur raste ku kemi pasur amputimin e gishtërinjve, plagë djegëse të fytyrës ose edhe laceracone të ndryshme prej mjeteve piroteknike. Mirëpo, mund të them lirisht se krahasuar me vitin e kaluar, vetëdijesimi i popullatës është ngritur kështu që numri i të lënduarve me mjete piroteknike ka rënë dukshëm, meqenëse vitin e kaluar kemi pasur gjithsejtë mbi 100 raste të lënduar me mjete piroteknike, dhe këtë vit kemi vetëm 30 raste çka flet për një vetëdijesim të popullatës në përdorimin e mjeteve piroteknike”, ka thënë Bajgora.

Për më tepër, Bajgora ka thënë se të gjithë pacientët e pranuar në QKUK, gjatë natës së Vitit të Ri e deri më sot nuk kanë pasur lëndime të shkallës serioze dhe shumica prej tyre tanimë janë lëshuar për në shtëpi, pasi
gjendja e tyre shëndetësore është stabile. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›