E Shtunë, 31 Tetor 2026

26 mars, kryhet transplanti i parë tek "Nënë Tereza"

Viti 2009-të për shëndetësinë shqiptare është çelur me ngjarje të rëndësishme. Muaji mars i këtij viti do të mbahet mend për një kohë të gjatë në historinë e mjekësisë shqiptare. Emrat e mjekëve të vjetër dhe të rinj që realizuan dje transplantin e parë të veshkave do të shënohen në librat e shëndetësisë dhe brezat e ardhshëm do të mësojnë gjithçka për mënyrën se si u realizua, vështirësitë, pengesat dhe kënaqësinë me të cilën dolën nga salla grupi që punuan për këtë projekt të madh. Dhe pse është folur shumë për këtë ndërhyrje, dje është realizuar transplanti i parë i veshkave në Shqipëri. Realizimi i këtij projekti është edhe një tregues i mirë, përsa i takon detyrave të shtëpisë nga ana e shëndetësisë shqiptare për sytë e Evropës.

Në orën 8:30 të mëngjesit, një grup mjekësh shqiptar nën asistencën e tre mjekëve italian për më shumë se katër orë e gjysmë kryen ndërhyrjen e transplantit. Më e entuziazmuara ishte pacientja e parë, e cila mori si dhuratë veshkën nga babai i saj. 19 vjeçarja Mitilda Goda dhe i ati kanë qenë dje nën kujdesin e një stafi të specializuar mjekësh. Transplanti ka rezultuar me sukses, gjithçka ka qenë e organizuar dhe precize, ndërsa politika, mjekësia dhe drejtuesit teknik të spitalit janë lehtësuar pas përfundimit të transplantit. Një falënderim shumë i madh, jo vetëm nga pacientët, por nga mjekët dhe gjithë Shqipëria vjen për Komunitetin Evropian dhe Rajonin e Puljas, të cilët kanë insistuar me dashamirësi, kanë asistuar me ndihmë ekonomike dhe humanizëm procesin e zhvillimit të këtij projekti të madh në Shqipëri.

Transplanti

"Realizimi i transplantit është konkluzion i punës 2-vjeçare, pasi për realizimin e këtij projekti është ndërmarrë një punë dhe një angazhim tepër i madh. Është punuar për përmirësimin e disa shërbimeve që janë në mbështetje të transplantit, përmendim këtu, laboratorin, kompletimi me aparatura moderne, realizimi i bllokut operator të urologjisë, pajisjet ekografike, seti kirurgjikal, trajnimet e stafit mjekësor dhe infermieristik. Përgjatë dy vjetëve është kryer trajnimi i plot 60 mjekëve, infermierëve dhe personali mbështetës", tha Bardh Spahia, Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë dhe përgjegjësi kryesor i projektit nga pala shqiptare. "Sukses i madh i këtij projekti është fakti që me realizimin e këtij projekti Shqipëria tregon se është një vend serioz për bashkëpunim me vendet e KE-së dhe se është në lartësinë e duhur.

Shqipëria po ndryshon jo vetëm në drejtim të përmirësimit të shërbimit, por edhe në drejtim të arritjeve të standardeve. Shqipëria po ndryshon edhe imazhin me implementimin e projekteve të mëdha me vendet e KE-së, duke treguar seriozitet maksimal duke përmbushur të gjitha impenjimet që i takon", sqaroi Spahia.

Realizimi i projektit

Ndërkohë "engjëlli" mbrojtës i transplantit, kreu i projektit Vincenzo Pomo, ka folur dje me superlativa përsa i takon angazhimit të stafit mjekësor, politikës shëndetësore dhe menaxherëve të këtij projekti. "Falënderoj Ministrinë e Shëndetësisë dhe të gjithë mjekët që realizuan ndërhyrjen dhe organizuan këtë proces. Fakti që gjithçka ishte precize tregon bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve", tha Pomo. Ai ka qenë përgjegjësi kryesor i projektit të transplantit, ndërmjetësuesi kryesor mes KE-së, Shqipërisë dhe rajonit të Puljas.

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë ka falënderuar Rajonin e Puljas, Komunitetin Evropian dhe mjekët shqiptar.

"Operacioni ka rezultuar të jetë i suksesshëm. Vajza dhe babai i saj janë në gjendje të mirë shëndetësore, falënderojmë stafin për punën e shkëlqyer dhe bashkëpunëtorët tanë", ka theksuar ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Sipas saj, pacientja e parë që është futur në sallën e operacionit për transplantimin ka qenë Mitilda Gode, 19 vjeçarja nga Rrebësi i Korçës, e cila prej ditës së sotme ka një veshkë të re.

Ende nuk janë përcaktuar kostot për Shqipërinë, por llogaritet që shpenzimi të jetë 25 mijë euro një ndërhyrje

Do të kemi të paktën 10 transplante në vit

Do të kemi të paktën 10 transplante në vit. Ky është parashikimi që ka bërë grupi i punës në Shqipëri, pas përfundimit të operacionit të parë të këtij niveli. Ky ka qenë një parashikim i thjeshtë, pasi kostot për shpenzimet në Shqipëri ende nuk janë llogaritur. Sipas përfaqësuesve të ministrisë, do të mendohet një shpenzim ekuivalent me vendet e rajonit. Kosto në spitalet e fqinjëve tanë shkon nga 20-25 mijë euro, ndërsa transplanti në një nga vendet e Evropës kap shifrën e 60-65 mijë eurove.

"Nga 10 deri në 20 transplante në vit do të ishte shumë mirë nëse Shqipëria do t‘i realizonte. Jemi pozitiv dhe operacioni ka rezultuar i suksesshëm", tha kreu i shërbimit të Nefrologjisë në Spitalin Nënë Tereza, Nestor Tereska. Ndërkohë që sipas Kreut të urologjisë, Mustafa Xhani, kjo është një ndërhyrje që u realizua si pasojë e një pune organizimi dhe përgatitje të shtrirë në kohë. Mitilda Gode, 19 vjeçe është pacientja që iu është nënshtruar operacionit, ndërsa dhuruesi ishte babai i saj. Operacioni, i cili u krye nga mjekë shqiptarë nën asistencën e mjekëve italianë nisi rreth orës 08.30 të mëngjesit të sotëm.

Kjo është ndërhyrja e parë kirurgjikale e këtij lloji në Shqipëri dhe është shumë e mirëpritur nga dhjetëra pacientë që çdo vit preken nga sëmundjet e rënda të veshkave.

Ekipi i mjekëve shqiptarë përbëhej nga 6 neurologë, 3 imunologë dhe 5 nefrologë, dhe asistohet nga 3 mjekë italianë të klinikës së Barit. Transplanti i veshkave, do të ofrohet falas për qytetarët dhe ndërhyrja kirurgjikale u realizua në kuadër të Programit INTERREG III, financuar nga Komuniteti Evropian.

Në varësi të kryerjes së kësaj ndërhyrjeje, ekipi i mjekëve

parashikon të realizojë dhe një ndërhyrje tjetër transplanti. Sipas mjekëve urologë, kanceri i veshkës po njeh rritje të dukshme gjatë viteve të fundit. Në Klinikën e Urologjisë pranë QSUT-së kryhen rreth 50 operacione në ditë, ku grup-mosha më e prekur është 40-60 vjeç, por nuk mungojnë dhe grupmoshat më të reja. Sipas mjekëve urologë, faktori gjenetik ka rolin e tij në kancerin e veshkave, por ka dhe faktorë të tjerë determinues.

Një tjetër paciente do të kryejë transplant në sallën e urologjisë me shpenzimet e projektit Interreg III.

Vajza është 22 vjeçe dhe pritet që shumë shpejt të ndjek të njëjtin proces si dhe 19 vjeçarja, dje.

Trupa e mjekëve

6 neurologë,

3 imunologë

5 nefrologë

Asistuan

nga 3 mjekë italianë

personel mbështetës

personel infermieristik



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›