E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e identitetit politik

Partitë politike në Kosovë, që nga zanafilla e tyre (në vitet e ‘90 të shekullit të kaluar), duke i përjashtuar në këtë kuadër organizatat ilegale që e kanë një histori më të gjatë të veprimit, janë formësuar që në start si struktura me një heterogjenitet të theksuar identitar politik. Qytetarët që aderuan në to, disi u ngjajnë grupimeve politike heterogjene që iu bashkuan ‘Të Gjelbërve‘ në Republikën Federale Gjermane dhe gjithandej në Evropë, pas të ashtuquajturit revolucion kulturor të fillimviteve ‘70 të shekullit të kaluar. Aty kishin gjetur strehë kundërshtarët e spektrit politik institucional, lëvizje feministe, marksistët, grupimet anti-NATO... ‘Të Gjelbërit‘ e kishin mëtuar një identitet të ndryshëm nga ai i establishmentit politik, prandaj me një shpejtësi të habitshme u shtrinë gjithandej, në mbarë hapësirën evropiane. Por, kur u shndërruan në parti institucionale, filluan gradualisht të largohen, qoftë edhe pa venerueshëm nga ky lloj identiteti i të qenit ndryshe. Tashti, pas pothuajse dyzetë vjet jete, kanë filluar të humbasin terren, duke u ndëshkuar nga zgjedhësit dhe për pasojë duke mbetur jashtë parlamenteve. Rikthimi i tyre në pushtet duket tepër i largët, për të mos thënë i pamundur.

Partitë tona nëpërmjet programeve të tyre, as në fillim e as sot e kësaj dite (natyrisht me përjashtime fare të vogla), nuk reflektojnë identitet të qartë politik. Ndërkaq, në horizont nuk duket se do të kemi shpejt ndonjë formacion politik me "identitet të ndryshëm" nga këta aktualët. Prandaj, mund të konkludojmë se tashmë kriza identitare politike është tek në gjysmë të rrugës. Ndërkaq, kalimi i individëve dhe strukturave të tëra nga një formacion politik në tjetrin, madje edhe në fund të mandateve politike që kanë, është shpërfaqja më e qartë e krizës identitare që po e kalojnë qytetarët tanë me formim minimal të identitetit të tyre politik, por edhe partitë tona me një histori paksa më të gjatë veprimi. Është çështje tjetër se çfarë rrokullisje do të ketë kjo krizë morale, në rast se kësaj i shtohet shpejt edhe kriza e pritshme ekonomike, që po troket në derë.

Njerëzit, në rrafshin socio-politik kanë nevojë për formim të identitetit të tyre politik individual dhe kolektiv. Identiteti politik është një fenomen kompleks, që formësohet në rrjedhë të kohës, në kushte dhe rrethana specifike, bazuar shumë në rrethanat përkatëse socio-politike, nëpër të cilat kalon individi.

Këto kërkesa të brendshme për formim të identitetit politik të individit dhe grupit, partitë politike do të duhej t‘i përfillnin dhe t‘i shndërronin në prioritete politike me karakter jo thjesht statutar. Ky formim do të duhej trajtuar si proces politik me karakter obligues, që ndërlidhet në shoqëritë e demokracive liberale. Si rrjedhojë, investimi në formimin dhe kultivimin e identitetit politik merr karakter obligativ kushtetues.

Pyetjes se çfarë më lidh mua si qytetar me këtë grupim shoqëror, me akëcilën parti politike, me shtetin e dytë të kombit tonë - Kosovën, me Republikën e Shqipërisë, me Republikën e Maqedonisë, me Evropën... programet politike të secilës parti do të duhej t‘i jepnin përgjigje të plotë dhe të diferencuar. Tek pastaj do të mund të flisnim për njëfarë strategjie afatgjatë të ndërtimit dhe funksionimit të partive tona si subjekte politike të qëndrueshme mbi parime të shëndosha, diferencuese ideologjike dhe politike. Tek atëherë do të gjenin përgjigje të kënaqshme kategori të ndryshme qytetarësh me predisponim për angazhim në jetën politike. Fundja, nocioni qytetar nënkupton edhe domosdonë që individi të jetë i angazhuar edhe në rrafshin politik, ta japë kontributin e tij në strukturimin dhe formësimin e jetës së komunitetit dhe shtetit të tij.

Partitë politike në vendet e etabluara të demokracisë liberale, përndryshe jo krejt rastësisht, cilësohen edhe atdhe politik. A mund ta ndiejë veten një qytetar me identitet personal politik si në shtëpinë e vet, në atdheun e tij politik, kur grupimi i tij politik, partia në këtë rast, nuk ka identitet të qartë ideologjik? A mund të ndërtojmë shoqëri demokratike të mirëfilltë me këtë nivel të demokracisë së brendshme që kanë partitë tona politike? Këto janë pyetje esenciale, që kërkojnë përgjigje nga partitë tona politike, nëse duan që të mos bojkotohen në shkallë edhe më të gjerë seç ishin bojkotuar në zgjedhjet e kaluara. Ndërkaq, bojkotimi i partive e parakupton qartë pakënaqësinë e qytetarëve me këtë sistem politik që mban në këmbë parti të tilla, por edhe krizën identitare politike që po e kalojmë si shoqëri.

Tashmë është identifikuar sindroma vdekjeprurëse e partive tona (me ndonjë përjashtim të vogël, natyrisht), që ndërlidhet me karakterin e theksuar autoritar të liderëve të tyre.

Interpretimi i dimensionit identitar politik në rrafshin empirik kërkon gjithsesi hulumtim më të thelluar. Inaugurimi dhe ndërtimi i një shoqërie demokratike funksionale do të mund të rrëshqiste lehtë drejt anarkisë, në rast se në këtë rrafsh ne vazhdojmë t‘i imitojmë partitë autoritare të shteteve në rajon, duke e lejuar koekzistencën e krimit ekonomik me politikën, respektivisht influencimin e krimit ekonomik në strukturimin e partive tona dhe në fund mbajtjen peng të procesit që do të inauguronte identitete politike demokratike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›