E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarifat e taksive, 250 lekë për një "të shkelur gazi"

Tarifat e taksive në kryeqytet do të standardizohen përmes një vendimi të posaçëm të Këshillit Bashkiak, që pritet të mblidhet pas tri ditësh. Aktualisht, qytetarët ankohen se shpeshherë taksitë u marrin shuma më të mëdha nga sa ata mendojnë se duhet të paguajnë, për shkak të mungesës së një matësi, siç është taksimetri. Aktualisht, kjo pajisje është shpërndarë në thuajse të gjithë mbajtësit e taksive të licencuara dhe priten vetëm tarifat e miratuara. Projektvendimi i përgatitur nga specialistët e Bashkisë së Tiranës, në bashkëpunim edhe me Shoqatën e Taksistëve, sanksionon faktin se "një dhënie gazi" nga ana e taksistëve do të nxjerrë nga "xhepi" i klientëve plot 250 lekë të reja. Në fakt, kjo shumë do të paguhet për 2 kilometrat e parë të rrugës. Për të llogaritur sa më saktë pagesat në përputhje me distancat e përshkuara, tarifat do të kalkulohen në përputhje me një ndarje në tri zona të kryeqytetit. Këto janë zonat A, B dhe C, të studiuara sipas një metodologjie ndërkombëtare nga specialistët e bashkisë. Në projektvendimin që pritet të marrë votat pro të këshilltarëve bashkiakë, saktësohet se "zona A përfshin distancën nga 5-7 km, ku 5 kilometra pas dy kilometrave të parë do të kenë tarifa 100 lekë për km". Gjithashtu, këtu do të llogaritet në favor të shtimit të kostos edhe koha në të cilën përshkohet kjo distancë, ku çdo klient do të detyrohet që të paguajë 25 lekë për një minutë. Në zonën B përfshihen distancat prej 10 kilometrash, pasi janë përshkruar 2+5 kilometrat e parë dhe tarifa që do të paguajnë udhëtarët kur lëvizin me taksi për këtë distancë do të jetë 85 lekë/km, plus kohën që do e kenë mjetin në dispozicion, me tarifën 21 lekë/min. Ndërsa bëhet e ditur se në zonën C bëjnë pjesë zonat me distancë mbi 17 kilometra. Projektvendimi parashikon që tarifa që do paguhet për taksitë 4+1, është 80 lekë/km, plus 20 lekë/min koha se sa do të zgjasë udhëtimi. Përjashtim nga këto çmime do të përbëjnë vetëm ditët e festave dhe ato të fundjavës. Për to do të aplikohen çmime më të larta. Por, sigurisht sikundër është edhe eksperienca botërore, udhëtimi me taksi do të jetë më i shtrenjtë edhe gjatë natës. Lidhur me udhëtimin me furgona (8+1), pagesa për distancën fillestare prej 2 kilometrash do të nisë me një kosto prej 400 lekësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›