E Diel, 1 Nëntor 2026

26 vatra zjarri po shkrumbojnë malet

Sipas Ministrisë së Brendshme, në të gjithë territorin e vendit aktualisht janë 26 vatra aktive zjarresh, shuarje e të cilëve në shumë raste është e vështirë për shkak të terrenit. Shqipëria nuk zotëron mjete ajrore për të shuar flakët.

Qarku Dibër: Vijon zjarri në masivin pyjor “Lura 1”, në vendin e quajtur “Zhavorri” Në parkun kombëtar “Lura 2”, zjarri në vendin e quajtur “Fusha e Pelave” dhe “Liqeni i Bruçit”, i favorizuar dhe nga erërat e forta, vazhdon të digjet në vetvete dhe gjatë ditës së sotme është vënë nën kontroll. Zjarret në ekonominë pyjore Kacni, fshatin Mazhicë të komunës Shupenzë dhe zjarri në qafën e Klenjës, aktualisht janë izoluar. Mbeten gjithashtu aktivë zjarret në ekonominë pyjore “Luçan”, komuna Martanesh, në ekonominë pyjore “Mbas-Deje”, sektori pyjor Derjan, si edhe në fshatin Dragu, komuna Fush Bulqizë.

Qarku Elbasan: Në rrethin e Gramshit, ka 2 vatra zjarri aktive. Në fshatin Lubinjë, komuna Tunjë, ku po janë të angazhuar forca të FA-ve, të shërbimit pyjor dhe komunitetit. Vatër e re u shfaq pyllin me pisha, në fshatin Zenelaj të komunës Skënderbegas, ku për shuarjen e tij kanë shkuar edhe mjete zjarrfikës.
Në rethin e Librazhdit janë aktive 3 vatra zjarri. Zjarret në fshatin Borovë, komuna Stërblevë dhe në fshatin Përvallë, komuna Lunik janë izoluar. Po punohet për izolimin e zjarrit në fshatin Librazhd Katund, të komunës Qendër Librazhd.

Qarku Kukës: Vatrat e zjarrit në Qafë Komi dhe në ekonominë pyjore Surroj, vijojnë të jenë problematikë. Vatra e zjarrit në rajonin e Zapodit, komuna Zapod, zjarri në Bjeshkët e Cukalit, komuna Bujan Tropojë dhe vatra e zjarrit në Kojën e Geg Hysenit, komuna Fierzë Tropojë, aktualisht janë nën kontroll të plotë.

Qarku Lezhë: Ka 4 vatra aktive zjarri. Në fshatin Malaj, Bashkia Rreshen, në fshatin Selitë, komuna Selitë, në Kaçinar dhe në fshatin Gallatë, komuna Selitë të Kurbinit.

Qarku Shkodër: Ka 5 vatra aktive zjarri. Në rrethin Shkodër është aktive një vatër zjarri në fshatin Lekaj, komuna Shalë. Në rrethin Pukë janë aktive dy vatra zjarri, një në Malin e Krrabit, fshati Midë dhe një në fshatin Fusha e Kohit, komuna Qelëz.

Në rrethin e Malësisë së Madhe janë aktive disa vatra zjarri. Në fshatin Grykë Lugje dhe  në fshatin Bukoviç të komunës Kastrat.

Qarku Tiranë: Ka 1 vatër zjarri aktive tek Lapidari Krrabës, ku kanë shkuar disa mjete zjarrfikëse te PMNZSH-së Tiranë dhe dhjetëra forca aktive, të cilat po ndihmohen edhe  nga forca të FA-ve. /Start/

                                                                                             2012-08-25 09:00
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›